Nga Greta Bardeli Gjoni
📍Shkodër – Jubani,njësia administrative Gur i Zi,i harrum ndër vite e duke u shkretuar nga të rinjtë e qytetarët që janë detyruar të largohen.
Nuk gjen një investim që i është bërë kësaj zone që ndër shekuj ka nxjerrë personalitete kombëtare dhe intelektuale që kanë shënuar emrin e tyne në histori.
Shifrat nga Minsitria e Financave thonë se 9.3 mln euro nga 161 mln euro janë shpenzuar në bashkitë e veriut. Pra rreth 6% e fondeve që janë investuar në total në gjithë bashkitë e vendit janë investuar në Shkodër, Dibër, Kukës, Lezhë. Imagjinoni vetë se sa janë investuar vetëm në bashkinë Shkodër dhe specifikisht vetëm në Juban? As 0.9% e totalit.
Kjo zonë sot ka problematika që shumëkujt do i duken surreale për dekaden në të cilën jetojmë.
Ndërsa flasim për “Smart Lab” që promovon Ministria e Arsimit dhe ndërsa shohim se si ministrja bën reklamë për laboratorë të vegjël, shkolla “Zef Jubani” përveç mungesës së kushteve infrastrukturore, tualetet për nxënësit dhe shërbimet e tjera të nevojshme janë mbi 100 metra larg ambienteve të shkollës, jashtë çdo standarti e sigurie.
Rruga nacionale është një aks shumë e frekuentuar edhe nga këmbësorë, të cilët e kanë të nevojshme që të gjendet mundësia ngjitur me rrugën të ndërtohet një trotuar i shoqëruar me ndriçim, pasi lëvizja e këmbësorëve anës rrugës po rrezikon jetët e tyre.
Banorët e krahinës së Jubanit vazhdojnë të kenë probleme me pronat këtë plagë të pazgjidhun, ku premtim pas premtimi nuk kanë arrit të legalizojnë pronat dhe mbi të gjitha gangrenë vazhdon të jetë infrastruktura e sistemit të furnizimit me energji elektrike.
Kjo zonë meriton vëmendje dhe për t’i ardh një ndihmë këtij komuniteti që po përballet me dramën e shpopullimin masiv.