Kriza e çmimeve edhe pse më së shumti është reflektuar tek produktet ushqimore dhe tek hidrokarburet, të dhënat që vijnë nga tregu i pasurive të paluajtshme janë edhe më të ‘frikshme’. Banka e Shqipërisë raporton për çmime stratosferike në gjashtëmujorin e parë të vitit si për shitje ashtu edhe për qiratë e banesave.
Sipas raportit nga janari në qershor ka pasur një rritje të fortë të kërkesës për banesa dhe shtrenjtim të kostove e për pasojë raportohen për rritje të çmimeve me 39% në rang kombëtar dhe vetëm në Tiranë janë rritur me 40%.“Rritja e kërkesës dhe e kostove të ndërtimit, ka bërë që agjentët e tregtimit të pasurive të paluajtshme të raportojnë çmime shitjeje më të larta ndaj gjashtëmujorit të kaluar. Sipas indeksit Fischer12 , çmimi mesatar i banesave të shitura gjatë periudhës është rritur me 28.4% në krahasim me gjashtëmujorin e kaluar dhe me 39% në krahasim me një vit më parë. Kjo ecuri u përcaktua sidomos nga rritja e vëllimit të shitjeve të kryera në zonën e Tiranës, e cila përfshin qendrën, periferinë dhe zonat jashtë qytetit. Indeksi i çmimeve për shitjet në kryeqytet regjistroi një rritje prej 28.5% ndaj periudhës paraardhëse dhe rreth 40% ndaj një viti më parë”, thuhet në raportin e Bankës së Shqipërisë.
Në raportin e Bankës si shkaqe të tjera që mund të kenë ndikuar në shtrenjtimin e banesave është edhe rritja e çmimit të energjisë dhe e pasigurisë që ekziston në treg si pasojë e luftës në Ukrainë.
“Mbi bazën e të dhënave të vrojtimit për gjendjen e tregut të pasurive të paluajtshme dhe ecurinë e çmimit të banesave, të dhënave të raportuara nga bankat dhe të dhënave të tjera administrative, vlerësohet që gjatë periudhës, kërkesa, oferta dhe kostot e ndërtimit në tregun e pasurive të paluajtshme janë rritur dukshëm. Rritja e kërkesës dëshmohet nga rritja e vëllimit të shitjeve, rënia e numrit të pronave të pashitura dhe rritja e kredisë për blerje banese. Rritja e ofertës lidhet me rritjen e qëndrueshme të numrit të lejeve të ndërtimit, e shoqëruar këtë herë edhe me rritjen e dukshme të kostove të ndërtimit. Ecuria e këtyre të fundit ka reflektuar rritjen e fortë në shpenzimet për energji, materiale ndërtimi dhe makineri”, thuhet në raport.
Sipas vlerësimit të ekspertëve të Bankës së Shqipërisë operatorët e tregut të pasurive të paluajtshme mbeten optimist edhe për të ardhmen, e presin rritje të mëtejshme të çmimeve, ndikuar përsëri nga kostot në rritje dhe pasiguria.
“Vlerësimet e subjekteve të intervistuara si pjesë e vrojtimit për gjendjen e tregut dhe çmimet në tregun e banesave janë të balancuara për afatin e shkurtër, duke qenë neutrale për situatën në zonën e Tiranës dhe pak më pesimistë për situatën në zonat e tjera. Ky vlerësim mund të jetë ndikuar nga zhvillimet e jashtme dhe pasiguria për ecurinë e inflacionit apo kostot e ndërtimit. Ne afatin më të gjatë, pritjet e këtyre subjekteve për gjendjen dhe ecurinë e tregut të banesave mbeten optimiste. Kriza e çmimeve edhe pse më së shumti është reflektuar tek produktet ushqimore dhe tek hidrokarburet, të dhënat që vijnë nga tregu i pasurive të paluajtshme janë edhe më të ‘frikshme’. Banka e Shqipërisë raporton për çmime stratosferike në gjashtëmujorin e parë të vitit si për shitje ashtu edhe për qiratë e banesave”, vijon më tej raporti.
Si pasojë e çmimeve stratosferike, më shumë se gjysma e banesave janë blerë me hua bankare dhe në shumicën dërrmuese të rasteve, kredia ka mbuluar deri në 60% të vlerës.
“Jo vetëm çmimet e blerjeve por edhe të qirave janë rritur, ndikuar më së shumti nga vlera e banesave në kryeqytet. Nga një monitorim i thjeshtë online në Tiranë, garsonierat kanë qira mesatarisht 250-300 euro, duke u shtrenjtuar minimalisht me 50-100 euro në 2 vitet e fundit. Ndërsa apartamentet 1+1 nisin nga 350 euro dhe më lartë, kurse të marrësh një apartament 2+1 në Tiranë mund të konsiderohet luks pasi pagesa mujore ndonjëherë kalon 1000 euro”, thuhet ndër të tjera në raportin e Bankës së Shqipërisë.
Shqiptarja.com