Sistemet e trafikut ajror në Shqipëri u fikën gjatë ditës së sotme rreth orës 17:30 për shkak të një problemi teknik. Lajmin e konfirmoi vetë Albcontrol ndërkohë që situata shkaktoi të paktën 5 fluturime të anulluara dhe vonesa në të paktën 10 fluturime në nisje nga Rinasi.
Gjatë ndërprerjes, avionët nuk u lejuan të kryejnë ulje apo ngritje nga Rinasi, ndërsa u ndalua edhe kalimi i mjeteve fluturuese përmes hapësirës ajrore të vendit.
Albtcontrol thotë se ekspertët e tij morën menjëherë masat për të shmangur çdo rrezik për avionët dhe nisën punën për rikthimin e sistemeve. Sipas Albcontrol rreth orës 18:00, 90% e sistemeve ishin rikthyer në funksion normal, por nga ana tjetër historiku i fluturimeve në faqen online të Rinas-it tregon që fluturimet ishin me vonesë deri në orën 18:45. Pas kësaj ore, në sektorin e nisjeve, nuk ka asnjë fluturim të parashikuar, ndërsa në sektorin e mbërritjeve ka vonesa dhe anullime. Edhe pamjet nga Fly Radar konfirmojnë se në këtë hark kohor hapësira ajrore e Shqipërisë ishte e zbrazët. Ndërkohë Albcontrol thotë se reagimi në kohë dhe profesionalizmi i ekipeve bënë të mundur shmangien e bllokimit të trafikut ajror në hapësirën shqiptare.






