Organi më i lartë i futbollit botëror, FIFA ka vendosur të bllokojë me tre periudha merkaton e transferimeve në hyrje për Vllazninë. Veç tyre edhe Erzeni, Burreli dhe Shkupi (klubi shqiptar në Maqedoninë e Veriut) janë të bllokuara.
Kjo do të thotë se klubet nuk kanë mundësi të regjistrojnë asnjë emër të ri futbollisti në merkaton e janarit, nëse nuk shlyejnë detyrimet për palët që janë ankuar dhe kështu të mund të zhbllokohen. Për asnjë nga skuadrat nuk bëhet me dije se cilët lojtarë apo ish-drejtues mund të kenë fituar gjyqet për pagat e padhëna, ndërsa FIFA u ka njohur të drejtën ankuesve dhe ka bllokuar merkaton e klubeve.
Shkodranët e mbyllën vitin 2024 me humbjen 2-0 nga Partizani dhe në merkato kanë gjetur akordin me Serjan Repaj dhe Alfred Mensah. Në fakt Repaj u prezantua nga Vllaznia për tre vitet që vijnë, por fakt është se FIFA u ka bllokuar regjistrimet për lojtarët e rinj. Me 31 pikë pas 19 javësh kampionat Vllaznia mban vendin e tretë në Superligë dhe ky zhvillim duket se ka trazuar ujërat në kampin shkodran.
Burreli
Surpriza e Kategorisë së Parë. Burreli ndodhet në vendin e katërt dhe me Ditmar Bicaj në stol ka bërë me të vërtetë një sezon të mirë, përtej pritshmërive të fillimit. Bllokimi i merkatos duket se do ndikojë në afrimet e reja.
Erzeni
Shijakasit janë në krizë pasi rrëzimi nga Superliga dhe të qenit në Kategorinë e Parë nuk kanë sjellë më investime.
Zgjidhja
Nëse secili klub shlyen ankuesit sipas vendimeve të drejtësisë sportive, atëherë merkato është automatikisht e hapur.