Edhe një herë, Bashkimi Europian arriti të bënte bashkë shumicën dhe opozitën në Kuvend. Deputetët miratuan me konsensus rezolutën për t’i dhënë Kuvendit një rol më të shtuar kontrollues dhe garantues të procesit të integrimit.
Në letër, socialistët zotohen që nuk do ta injorojnë opozitën dhe që pakica do të japë kontributin e saj në këtë proces, shkruan newspower.al.
Të majtët guxuan të dalin kundër propozimit të parakohshëm të Edi Ramës në shtypin gjerman, duke u dakordësuar për një integrim në BE me të drejta të plota, jo duke hequr dorë nga veto apo komisioneri.
Si për ironi, në seancën e konsensusit, opozita hasi në refuzimin e parë, mospraninë e kryeministrit Edi Rama në seanca ku kryefjala ishte pikërisht integrimi. Ai zgjodhi të shkojë në Gjermani.
Me t’u lexuar dokumenti dhe me mungesën e tij në seancë, demokratët u çliruan duke hedhur akuzat mbi Edi Ramën, si kryeministri që nuk e do integrimin.
Ndërsa disa socialistë u munduan ta ruajnë shijen e “paqes”, duke dhënë detyra për përmbylljen e reformave.
Demokratët kërkojnë nga qeveria që të heqë dorë nga uzurpimi i procesit të negociatave. Drejtësia është çelësi i artë për integrimin e Shqipërisë, ndërsa BE është shpresa te drejtësia. Kjo është pasqyra e arkitektit të reformës në drejtësi.
Në një seancë të qetë në Tiranë, Gazment Bardhi zgjodhi të fliste me figurë për situatën në Bruksel.
Peleshi i refuzoi kryetarit të Ligjeve konfidencën në sallën e seancave, ndërsa u tregua bujar në emër të mazhorancës duke i dhënë +1 minutë shtesë nga koha e Sali Berishës.
Duket se këtë javë ministrit të Jashtëm, Ferit Hoxha, nuk po i ndahen incidentet, edhe pse pa dashjen e tij. Për disa minuta ai u ul në karrigen e kryeministrit Edi Rama në seacë plenare, teksa bisedonte me zëvendëskryeministren Koçiu, por u ngrit menjehëre kur shërbimet e Kuvendit u detyruan t’i kërkonin lirimin e kolltukut. / newspower.al






