Agjencia e Mbikëqyrjes Policore (Rajoni Vlorë – Gjirokastër) ka ekzekutuar masën e sigurimit personal “Arrest në burg” ndaj punonjësit Albano Rustemi, i cili kohën e rregjistrimit të këtij procedimi penal ishte me detyrë Agjent në Seksionin për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Gjirokastër dhe aktualisht punonjës policie në Komisariatin e Policisë Dibër, i dyshuar për veprën penale “Shpërdorim i detyrës”.
Nga hetimet e kryera me metoda proaktive në bashkëpunim me Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Gjirokastër, ky punonjës policie rezultoi i dyshuar për:
– dekonspirim të aksioneve të policisë;
– përfshirje në veprimtarinë kriminale të trafikimit të narkotikëve;
– dhënie ndihme për kalim të paligjshëm të kufirit;
– kontrabandë me mallra të tjera.
Vijon hetimi për përfshirjen e zyrtarëve të tjerë në këtë veprimtari kriminale.
AMP mbetet e përkushtuar në misionin e saj për garantimin e zbatimit të ligjit dhe fton qytetarët të denoncojnë çdo rast të abuzimit apo shkeljes së ligjit nga ana e punonjësve të strukturave mbikëqyrëse, duke telefonuar në numrin e gjelbër 0800 90 90.
Për ankesa me Whatsapp 0694151511