Emigrantët vijojnë të jenë burimi kryesor i të ardhurave për shumë familje në vend. Shtimi i kostove të jetesës dhe kriza e çmimeve të produkteve të shportës dhe jo vetëm i ka nxitur ata që gjatë gjashtëmujorit të parë të vitit të rrisin volumin e remitancave.
Dërgesat e emigrantëve në gjashtë muajit e parë të këtij viti kanë arritur në nivelin më të lartë që prej vitit 2010. Në të dhënat e bëra publike nga Banka e Shqipërisë thuhet se nga janari në qershor remitancat u rritën me 36 milionë euro krahasuar me vjet, dhe në total arritën në 376 milionë euro. Kjo është vlera më e lartë e dërgesave e bërë në gjashtëmujor, prej 12 vitesh.
Vetëm në tre muaj prill, maj, qershor dërgesat e emigrantëve ishin 192 milionë euro, shifër rekord edhe kjo në dekadë. Por nga ana tjetër vlera e remitancave mund të jetë më e lartë, pasi ka emigrantë që zgjedhin që paratë për familjarët e tyre ti sjellin cash dhe jo nëpërmjet kanaleve formale.
“Prurjet valutore të emigrantëve, shënuan rreth 192 milionë euro, në rritje vjetore 12%. Ka vijuar edhe për këtë tremujor, rënia e lehtë e përdorimit të kanaleve formale (sistem bankar dhe operatorë të sistemit të transfertimit të parave), si pasojë e lëvizjeve të emigrantëve dhe rrjedhimisht rritjes së prurjeve në cash”, thuhet në një raport të Bankës së Shqipërisë.
Kjo rritje e remitancave tregon se familjarët që punojnë jashtë vendit po kontribuojnë në përballimin e çmimeve nga të afërmve të tyre në Shqipëri, e nga ana tjetër dëshmon edhe për shtim të diasporës shqiptare si pasojë e emigrimit të lartë të viteve të fundit. Të larguarit më shumë janë të kualifikuar dhe të rinj, e për pasojë dhe kontributi i tyre në dërgesa valutore është në rritje të vazhdueshme.
Remitancat janë jetike për mijëra familje, dhe ato vijnë kryesisht nga Greqia, Italia, Gjermania, Zvicra dhe ShBA.