Ballina Aktualitet Edmond Ndou jep dorëheqjen nga Këshilli i Qarkut Shkodër, merr drejtimin e...

Edmond Ndou jep dorëheqjen nga Këshilli i Qarkut Shkodër, merr drejtimin e OSHKSH-së për veriun. “Një përgjegjësi e re, i njëjti përkushtim ndaj njerëzve dhe Shkodrës!”

Edmond Ndou ka dhënë dorëheqjen nga detyra e Kryetarit të Këshillit të Qarkut Shkodër, pas gati tre vitesh në këtë funksion, për të marrë një përgjegjësi të re në drejtimin e Drejtorisë Rajonale të Operatorit të Shërbimeve të Kujdesit Shëndetësor (OSHKSH) për rajonin e veriut. Lajmin e ka bërë të ditur vetë Ndou përmes një statusi në rrjetet sociale, ku ka ndarë një mesazh falënderimi për të gjithë ata që e kanë mbështetur dhe bashkëpunuar me të gjatë ushtrimit të detyrës.

Statusi i plote:

Një përgjegjësi e re, i njëjti përkushtim ndaj njerëzve dhe Shkodrës!

Të dashur bashkëqytetarë të Shkodrës, Malësisë së Madhe, Vau Dejësit, Pukës dhe Fushë Arrëzit, nga kjo e marte kam dhënë dorëheqjen nga detyra e Kryetarit të Këshillit të qarkut Shkodër, pas gati 3 vitesh të ushtrimit të kësaj detyre. Gjej rastin në këtë ditë të shpreh mirënjohjen time të sinqertë për të gjithë ata që më besuan, më mbështetën dhe bashkëpunuan me mua gjatë kësaj periudhe.

Ka qenë një privilegj dhe një përgjegjësi e veçantë të shërbeja në krye të këtij institucioni, duke punuar me bindjen se zhvillimi i qarkut, bashkëpunimi institucional dhe interesi publik duhet të jenë gjithmonë në qendër të çdo vendimmarrjeje. Falënderoj anëtarët e Këshillit të Qarkut, përfaqësuesit e forcave politike, drejtuesit e institucioneve vendore e qendrore, administratën dhe të gjithë bashkëpunëtorët për kontributin, besimin dhe komunikimin e ndërtuar gjatë kësaj kohe. Një falënderim i veçantë shkon për qytetarët e komunitetet e Qarkut Shkodër, të cilët kanë qenë motivimi kryesor në ushtrimin e kësaj detyre.

Sot, me respekt për përgjegjësinë që kam mbajtur dhe me mirënjohje për përvojën e fituar, largohem nga detyra e Kryetarit të Këshillit të Qarkut Shkodër për të marrë një përgjegjësi të re, si Drejtor i Drejtorisë Rajonale të Operatori të Shërbimeve të Kujdesit Shëndetësor (OSHKSH) në rajonin e veriut. Kjo detyrë e re përfaqëson një sfidë me rëndësi të veçantë, pasi kujdesi shëndetësor është një nga shërbimet më të ndjeshme dhe më të rëndësishme për qytetarët. Përgjegjësia shtrihet përtej administrimit të një institucioni, ajo lidhet me përmirësimin e shërbimeve, mbështetjen e strukturave shëndetësore dhe krijimin e kushteve që qytetarët të marrin kujdesin që meritojnë.

Duke pasur parasysh rëndësinë që Drejtoria Rajonale e OSHKSH-së ka për veriun e vendit, pasi përfshin qarqet Shkodër, Lezhë dhe Kukës, synimi im do të jetë të kontribuoj me seriozitet, profesionalizëm dhe përgjegjësi në forcimin e bashkëpunimit institucional dhe në përmirësimin e funksionimit të shërbimeve shëndetësore në zonën që mbulon kjo drejtori.

Besoj se çdo detyrë publike është, mbi të gjitha, një mundësi për të shërbyer. Ndryshojnë institucionet dhe përgjegjësitë, por nuk ndryshon përkushtimi ndaj njerëzve, puna me ndershmëri dhe bindja se besimi i qytetarëve duhet justifikuar çdo ditë. Shkodrës dhe qytetarëve të saj u detyrohem gjithmonë mirënjohje. Me të njëjtin përkushtim, nis një kapitull të ri në shërbim të qytetarëve dhe të sistemit shëndetësor.

Faleminderit të gjithëve për besimin dhe bashkëpunimin!

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

Enable Notifications OK No thanks