Ballina Sport Conference League/ Vllaznia përmbys 2-1 Malishevën në ndeshjen e parë, Brdaric rikthehet...

Conference League/ Vllaznia përmbys 2-1 Malishevën në ndeshjen e parë, Brdaric rikthehet me humbje në Shkodër

Vllaznia ka hedhur një hap të rëndësishëm drejt turit të dytë kualifikues të Conference League, pasi mposhti sot Malishevën me rezultatin 2-1 në ndeshjen e parë të zhvilluar në stadiumin “Loro Boriçi”.

Skuadra nga Kosova e drejtuar nga ish-i i Vllaznisë, Thomas Brdaric, e nisi më mirë takimin dhe kaloi në epërsi që në minutën e katërt. Pas një goditjeje nga këndi, Laurent Xhylani e dërgoi topin në rrjetë direkt, duke i dhënë avantazhin Malishevës.

Shkodranët reaguan para pushimit dhe rikthyen ekuilibrin në minutën e 37-të. Rrok Toma shfaqi klasin e tij me një asist të zgjuar për Qaton, i cili nga hyrja e zonës lëshoi një goditje të saktë drejt portës, duke mposhtur portierin kundërshtar.

Goli i fitores erdhi në minutën e 56-të dhe mban firmën e Emiljano Mustës. Mbrojtësi realizoi një supergol nga goditja e dënimit, me një goditje të fuqishme që përfundoi në trekëndësh, pa i lënë asnjë mundësi reagimi portierit të Malishevës.

Derbi shqiptar në arenën evropiane u mbyll me triumfin 2-1 të Vllaznisë, në një sfidë që dhuroi tre gola. Çështja e kualifikimit do të vendoset javën e ardhshme në Kosovë, ku Malisheva do të presë Vllazninë në ndeshjen e kthimit, me shkodranët që do kërkojnë të mbrojnë avantazhin minimal të fituar në shtëpi.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

Enable Notifications OK No thanks