FILIP GURAZIU

Statistikat e fundit që vijnë prej BE na trishtojnë; veriu i Shqipnisë rajoni ma i vorfën në Europë! Pohim që shkon paralel me deklaratën konfidenciale të nji ekonomisti të njohun shkodran: “ Prej rreth 25 vjetëve nuk kemi asnji investim të huej që ka sjellë punësim në Shkodër…!!!”

Natyrisht ky shkrim nuk mundet me marrë përsipër diagnostizimin përfundimtar të kësaj situatë të pashpresë që po përjetojnë shqiptarët në Shkodër e rreth saj, shkaqet e së cilës i përngjajnë (në fushën e algjebrës lineare) nji sistem ku numri i të panjohunave asht ma i madh se ai i ekuacioneve…, por vetëm analizën e efektit negativ që shoqnon ekonominë dhe rritjen e mirëqenies së nji popullsie në rastet kur vlerat e mjedisit rrethues, ato të traditës e kulturore, nuk vlerësohen si duhet, nuk ekspozohen sa duhet, por qendrojnë gjysë anonim.

Nuk dëshiroj me qenë mohues për ato që janë realizue prej institucioneve shtetnore e vendore përgjegjëse të sektorit të turizmit në Shkodër, sepse faktikisht aktiviteti i ekonomisë së turizmit në Qarkun e Shkodrës ka qenë në rritje, por dëshiroj me qenë vetëm pozitivisht nxitës e bashkëpunues.

Sot, me të drejtë, trumbetohet me të madhe se ekonomia e turizmit asht e do të jetë ekonomia kryesore “lëvizëse” në Shqipni (edhe në Qarkun e Shkodrës), strategji që na ndihmon drejt përqendrimit të argumentimit. Ekonomia e turizmit përmbledhë, gërsheton dhe zhvillon aktivitetet e shërbimeve, të tregtisë, bujqësinë, artizanatit si dhe kontaktet njerëzore, element ky i fundit shumë i randësishëm për zhvillimet përspektive. Turistat marrin iniciativen me vizitue nji vend kur janë “të thirrun” prej vlerave të veçanta natyrore dhe kulturore që ofron ai vend me të cilat janë njohë kohë ma parë, prej publicitetit.

Fakti që papunësia në Shkodër ndodhet në shifra shumë të nalta dhe brezi i ri (i pa punë) arratiset çdo ditë e ma tepër drejt tregjeve të B.E, tregon qartë se organizimi i sektorit të ekonomisë “lokomotivë” – Turizmit nuk e paska luejtë rolin e tij ashtu si duhet; paska qenë, për mos me thanë i dobët i organizuem jo mirë. Për mendimin tim nji ndikim të randësishëm, ndër shumë të tjerë…, për mos funksionimin në nivel bashkëkohor të ekonomisë së turizmit ne Qarkun e Shkodrës ka luejtë dhe vazhdon me luejtë fakti se Qarku dhe qyteti i Shkodrës ishte, asht, dhe mbetet ( natyrisht në kuptimin relativ) anonim për botën e jashtme. Pyetja që duhet t’i bajmë vetes asht tepër e thjeshtë: Pse duhet të vijnë turistat në Qarkun e Shkodrës, çfarë vlerash i ofrojmë atyne?

Identifikimi i hollësishen i vlerave mjedisore dhe kulturore i jep përgjigje pyetjes se masiperme, por kjo nuk mjafton, sepse vlerat e identifikueme duhet të jenë të “kapshme” prej vizituesit, në kuptimin që turisti duhet të bashkëjetojë e të gjejë kënaqësi me ato. Për konkretizim; Thethi përfaqëson perlen e turizmit malor shqiptar dhe kohët e fundit frekuentohet mjaft prej turistave vendas e të huej. Meqenëse çdo gja asht riparue e ndërtue me iniciativen e kontributin privat të banorëve të Thethit, të cilët jetojnë me vështirësi ekonomike, infrastruktura e mjedisit nuk i përgjigjet traditës dhe turisti nuk përjeton ashtu si duhet vlerat reale të vendit që viziton. Pullazet e shtëpijave karakteristike janë të mbuluem me llamarina e jo me pllaka prej pishe te gdhenduna, kurse gardhet që ndajne pronat, në vend që të jenë prej drunit të punuem me dorë, janë me beton e rrjetë teli…! Kjo natyrisht nuk shkon, kjo nuk përfaqëson traditën dhe ndikon negativisht te humori i vizitorëve.

Konsiderohet “jetike” për suksesin e ekonomisë së turizmit të nji vendi, njohja e vlerave reale ekzistuese prej “makinerisë së biznesit botnor turistik, nëpërmjet reklamimit të vazhdueshëm dhe publicitetit. “Dëshiroj me rreshtue disa vlera të veçanta ose “mbivlera” të lanuna “mbas dore” që realisht ofron Qarku i Shkodrës me të cilat duhet të njihet “bota e turizmit”

*1. “Të dhanat e fillimit të shekullit XIX-të e radhisin Shkodrën ndër qytetet ma të zhvillueme të Perandorisë Turke në Ballkan. Rreth portit lumor të qytetit funksiononte nji qender tregtare me 2500 dyqane e magazina që për qarkullimin e mallnave konsiderohej ndër kryesoret e Turqisë europiane. Në atë periudhë Shkodra numëronte 40.000 banorë në nji kohë që Athina e Beogradi së bashku kishin vetëm 27.000! Ky zhvillim i dedikohej kryesisht pozicionit të veçantë gjeografik ku shtrihet qyteti; pranë autostradave të lashtësisë, rrugëve ujore prej detit Adriatik, lumi Buna e Liqeni i Shkodrës e kalimit të detyrueshëm të rrugëve toksore që lidhin Europën me Ballkanin, si prej perëndimit në lindje ashtu prej e veriut në jug.” A nuk mjaftojnë këto fakte historike, kjo eksperiencë e jetës për me kuptue se si duhet projektue e ardhmja e Qarkut të Shkodrës? Sistemimi i shtratit të lumit Buna, përveç përfitimeve të shumta mjedisore, do të mundësonte edhe lundrimin e anijeve turistike prej detit Adriatik deri në liqenin e Shkodrës e anasjelltas. A e merrni me mend se çka don me thanë kjo për ekonominë e dobët të Qarkut të Shkodrës? Rritja e mirëqenies së europianëve së bashku me përparimin e teknologjisë gjatë 40 vjetëve të fundit krijuen kushtet e zhvillimit masiv të turizmit me anije private. Mija e mija anije private gjatë sezonit veror përshkojnë Adriatikun dhe logjika të thotë se nji pjesë e madhe e tyne, nëpërmjet Bunës, do të vizitojshin edhe Shkodrën së bashku me resurset natyrore që ofron Qarku i Shkodrës. Gjatë periudhës dimnore këto mija e mija anije qëndrojnë të parkueme në portet turistike të Adriatikut e të Mesdheut. Parkimi dhe shërbimi vjetor i anijeve turistike private sjell të ardhuna kolosale për vendet që i ofrojnë këto porte turistike. Projektimi dhe ndërtimi i nji porti turistik masiv në brigjet e lumit Buna pranë qytetit të Shkodrës realizohet me kosto të ultë (port lumor) dhe do të ishte shumë i preferueshëm në treg, sepse uji i ambel ( pa krypë) nuk ka veti korruzive. Pse askush (qeveri e pushtet vendor) nuk e çon zanin për këto mundësi reale zhvillimi për Qarkun e Shkodrës, por mbesin si pa randësi ose anonime?

*2. Kështjella Rozafa e njohun “gojë mbas goje” prej “Legjendës së Rozafës si dhe prej shkrimeve të historianit romak Titius Livius 2133 vjet ma parë, çuditi botën për qëndresen kundër ushtrisë turke në vjetët 1474 dhe 1478.( Historiani i shquem amerikan H.Fisher i konsideron këto dy beteja si ngjarjet kulminante në historinë e mesjetës europiane). Falë historisë së shkrueme prej Marin Barletit “Rrethimi i Shkodrës” e cila u publikue shumë herë në gjuhët e ndryshme europiane, bota mbarë mësoi heroizmin dhe sakrificën sublime për liri që demostruen shkodranët në ato beteja epike. Në shekulli e XVIII-të Kështjella Rozafa u ba qendra e dinastisë së famëshme 74 vjeçare të Bushatllijve me të cilët lidhet përparimi dhe zhvillimi i vrullshëm ekonomik i Shkodrës i shekullit XIX-të. A nuk mjaftojnë këto mbivlera historike për me programue ndërkombtarizimin e kësaj kështjelle shqiptare që, përveç sa u tha ma sipër, gëzon edhe nji rekord historik të pandigjuem në historinë e njerëzimit; kurrë e mposhtun prej armikut, por gjithmonë fitimtare! Kërkohen vetëm ide vizionare bashkëkohore në ndihmë të projektimit transformues të kësaj kështjelle historike në nji “Qendër Kulturore polifunksionale ndërkombëtare”, (Ndërlidhje me teleferik me fushën e pazarit të vjetër; Bazë për ulje e ngritje për helikopterë; Restaurim me teknologji bashkëkohore të muzeut të kështjellës; Vendosja e emnave të luftëtarve shkodranë që vdiqën në luftë kundër pushtuesit turk në Rrethimin e Shkodrës (libri i Marin Barletit); Restaurim i Kishës Katedrale mesjetare të Shën Stefanit; Amfiteatër veror; Rindërtim i Pallatit të Bushatllijve me arkitekturë karakteristike shkodrane të shekullit XIX-të në rolin e nji qendre kulture me bibliotekë, sallë mbledhjesh, lokale për kurse kualifikimi; Reastorant- Bar etj.) Programimi vizionar, organizimi me korrektësi i aktiviteteve, publiciteti dhe reklamimi inteligjent i kësaj qendre polifunksionale kulturore do të mundësonte daljen prej” qëndrimit gjysmë anonim” me pasojë rritjen e shumë të madhe të fluksit turistik drejt Qarkut te Shkodrës.

*3. Në asnji agjendë ekzistuese të publikueme deri sot, prej institucioneve që trajtojnë fushën e turizmit në ministrinë përkatëse e pushtetet vendore të Qarkut Shkodër nuk përmendet e nuk ekziston (pra qëndrim krejtësisht anonim) asnji material tregues, sado modest, për nji perlë të turizmit alpin që ndodhet vetëm 36 km larg qytetit të Shkodrës. Asht fjala për “Fushën e Liqenit” të Cukalit “me sipërfaqe prej 20 ha. e naltësi 1350 m. mbi nivelin e detit. Qendra e dikurshme e shfrytëzimit pyjor në malin e Cukalit. Fusha ka nji pjerrësi natyrale të amel dhe asht e rrethueme pothuej prej të tana anëve prej pyjeve të ahut që mbushin naltësitë malore të Cukalit ( rreth 250 m. mbi fushën) prej ku buron edhe ujë i pijshëm. Karakteristika këto që i japin pikës alpine të “Fushës së liqenit” nji vlerë shumë të madhe për zhvillimin e turizmit malor si në verë asht edhe në dimen mbasi naltësia mbi nivelin e detit e pozicioni i veçantë i terrenit sigurojnë borë gjatë stinës dimnore. Si spjegohet ky qëndrim mohues i vetvetes?

*4. Tashma asht e njohun dhe e pranueshme prej kulturës botnore se “ Gegnishtja” asht rraja e gjuhëve europiane, pra nji mbivlerë kulturore kolosale për shqiptarët, Gegninë e në veçanti për Shkodrën, qytetin e traditës së shkrimit të gegnishtes letrare, për të cilën paraqitet nji interes i veçantë i studiuesve. Tue iu shmangë kontradiktës (nuk asht vendi) me gjuhën e standardit që na imponoi me dhunë politike kongresi i vjetit 1972, dëshiroj me vue në dukje se institucionet pergjegjëse vendore e shtetnore kurrë nuk e shfrytëzuen këtë mundësi reale (e cila do të ndihmonte për me njohë Shkodrën në rang botnor tue programue aktivitete në ndihmë të vlerësimit, mos hupjes dhe ruejtjës së këtij thesari kulturor.( Simpoziume studimore ndërkombtare, “Java e Gegnishtes” me publikime konkurse etj; Gazetë periodike, shfaqje teatrale dhe emisione televizive në gegnisht etj.)

*5. Kujtojmë se në qytetin e Shkodrës prej vjetësh funksionojnë dy grupe korale polifonike me cilësi të naltë artistike, fitues çmimesh nderi në arenën ndërkombtare, por askush nuk i mbështetë, nuk i vlerëson, nuk i ban publicitet dhe as që i shkon në mend me programue së paku nji konkurs ndërkombtar koral polifonik i cili me jehonën e tij do t’i bante reklamë pozitive qytetit edhe nëpërmjet qindra pjesëmarrësve që për disa ditë do të jetojshin në Shkodër me qytetarët e sajë. Pse në pikun e turizmit nuk programohen dhe organizohen koncerte korale në sheshet e qytetit? Pse i mbajmë “anonime” këto vlera?

*6. Kujtojmë se në qytetin e Shkodrës funksionojnë prej shumë vjetësh rreth 10 dyqane ku piktorë të talentuem të qytetit pikturojnë dhe shesin pikturat e tyne. Gjithashtu kujtojmë, se me iniciativen personale të skulptorit të shquem shkodran Skender Kraja, po ashtu prej shumë vjetëve funksionon në Velipojë nji “Campus” me piktorë e skulptorë prej të tanë botës, të cilët bashkëjetojnë, diskutojnë e pikturojnë peizazhet shqiptare. Tregues këto, jo vetem të aftësive të artistave, por edhe i dashunisë së shkodranve per artin e pikturës e të skulpturës. Mirëpo çdo gja mbetet anonime, institucionet përgjegjëse nuk programojnë asnji lloj aktiviteti për “nxjerrjen” e ketyne aktiviteteve me shumë vlerë prej hijes së harresës. Nuk programohen konkurse ndërkombëtare pikture e skulpture, mungon publiciteti, mungojnë aktivitete të programueme që turistat të njihen me këto vlera (nuk egziston as projekti i vendosjes së skulpturave të figurave të shqueme të kulturës në sheshet e qytetit, megjithse skulptori i mirënjohun shqiptar Ferid Kola i ka paraqitë bocetat)

*8. Kujtojmë se “Kanuni i Lekë Dukagjinit, Lahuta, Xhubleta, Kanga e Veshit, Melodia me gjeth “janë mbivlera monumentale historike që prej thellësisë së shekujve shqiptarët i kanë ruejt dhe ia kanë dhurue kulturës botnore. Çka projektohet e programohet që këto thesare të kulturës botnore të njihen e ti jepet vlera e meritueme shqiptarëve? Kujt i shërben që këto vlera mbahen në “qendrim gjysmë anonim”? Institucionet përgjegjëse shqiptare munden me pasë shumë të mbeta në punën e tyne, por…” veç në një drejtim janë treguar tepër të lartë e shumë zemërgjërë”: me sjelljen e tyne indiferente në drejtim të mbrojtjes së vlerave kombtare shqiptare, lahuten e maleve arbnore ia dhuruen serbisë kurse fustanellën – Greqisë. Vetëm “xhubleta ilire” nuk pati të njajtin fat, mbasi kërkesa e Ministrisë së Kulturës drejtue UNESCOs për njohjen e sajë si trashigimi kulturore shqiptare me 05.03.2021 u realizue me sukses. Sot xhubleta ilire-shqiptare asht shpallë “pasuni e UNESCO-s. Mungesa e publicitetit të programuem prej specialistave të fushës përban nji mangësi konkrete për mos njohjen ndërkombtare të këtyne vlerave kulturore të trashigimisë shqiptare. Bjen ne sy, gjithashtu, edhe mungesa e nji mjedisi të veçantë në qytetin e Shkodrës, të ekpozuem në qendrën turistike të qytetit, që kishte me mundësue ekspozimin me teknologji bashkëkohore të këtyne mbivlerave monumentale kulturore në shërbim të turizmit.

*7. Pse nuk i bajmë të njohun botës vlerat tona, por qendrojmë si me vetedashje anonim? Nji ndër traditat shkodrane gastronimike me cilësi ta naltë që vlerësohet në tregun ndërkombëtar asht edhe përpunimi artizanal i putargës së qefullit që në tregun ndërkombëtar shitet deri 200 Euro/Kg. Pse mos të programohet, të organizohet e të ndërkombtarizohet “Dita e Putargës” në Shirokë në kohën e pikut të turizmit? Pse institucionet përgjegjëse shtetnore e vendore nuk projektojnë financimin (me kredi zero ose të butë ) të nji reparti përpunues të putargës me tekonologji bashkëkohore në mënyrë që të rritet prodhimi dhe “ Putarga shkodrane” të njihet si “markë” në tregun ndërkombëtar?

*8. Si mundet m’u harrue (me mbetë anonim) tradita shekullore e Shkodrës për prodhimin e mëndashit natyror prej krimbave përkatës që ushqehen me gjethe manash? Pa dyshim që kjo traditë paraqet vlerë shtesë kulturore me shumë interes për vizitorët. Nji repart përpunues i mendashit natyror, ku të përfshihen të gjtha fazat e procesit deri te materialet e përfundueme për shitje (suvenir) i mungon Shkodrës. Për kujtesë, qyteti Belaggio në brigjet e liqenit të Como-s( zemra e Europës së përparueme), përveç mjedist të veçantë panoramik, asht ba tërheqës për turistat edhe për prodhimin e pëlhurave të mëndafshit prej grave artizane.

*9. Falë vizionit bashkëkohor të nji gruaje gjermane me bashkëshort shqiptar, mori zhvillim turizmi në lumin e Shalës, por indiferentizmi i qeverive shqiptare, që kanë ndërtue e po rindërtojnë rrugë në të katër anët e Shqipnisë, ka shkaktue që rruga Vaudejës-Koman të jetë pothuej e pakalueshme, mbasi prej tre dekadash mbi te nuk asht vue dorë, gja që damton rritjen e turizmit në lumin e Shalës.

A duhet të marrin fund kjo situatë?

Shpresoj se ky shkrimi ndoshta ka me nxitë sadopak vemendjen dhe përpjekjen e institucioneve përgjegjëse për sa ma sipër./Gazeta Panorama

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu