Kryesia e Partisë Demokratike u mblodh sot në selinë blu, ku kreu i PD-së, Sali Berisha, foli për miratimin e kandidaturave që do të përfaqësojnë opozitën në zgjedhjet e 11 majit. Berisha deklaroi se koalicioni opozitar përbëhet nga rreth 25 parti politike, të cilat sipas tij, përfaqësojnë rreth një të tretën e elektoratit shqiptar.

Berisha: Mblidhemi sot në vendimmarrjen më të rëndësishme të këtij 4-vjeçari, në miratimin nga kjo kryesi të kandidaturave që PD e Shqipërisë do paraqesë para elektoratit shqiptar së bashku me koalicionin për Shqipërinë Madhështore.
Ky është një moment jashtëzakonisht i rëndësishëm, meritë e madhe e anëtarësisë së PD, drejtuesve të saj në degët e PD-së dhe në qendër, deputetëve të saj dhe ajo çka mund t’u them unë se ky proces qëndron në lartësinë e plotë të objektivit kryesor të PD-së, Shqipëria Madhështore.
Ky është procesi më transparent që është zhvilluar ndonjëherë në historinë e PD, me pjesëmarrjen më të gjerë të mundshme, me përfaqësimin e të gjitha ndjesive, të gjitha shtresave, nënshtresave, grupeve, komuniteteve të shoqërisë shqiptare.
Por këta kandidatë për deputetë kanë avantazhin sepse janë njëkohësisht përfaqësuesit e koalicionit më të fuqishëm që ka njohur Shqipëria në 32 vite.
Ky koalicion që bashkon rreth 25 parti, të cilat pa PD-në, përfaqësojnë pothuaj një të tretën e elektoratit shqiptar.
Kjo përbën një avantazh të fuqishëm për aleancën për Shqipërinë Madhështore dhe PD-në, një avantazh i cili ka goditur thellë në dëshpërim palën kundërshtare, që në fakt është në kaos të vërtetë.
Ekipi Rama-Lubi Balluku po përcakton kandidaturat tërësisht në bashkëpunim me klanet e krimit në Shqipëri.
Janë flakur edhe socialistët e fundit që kishin mbetur në atë parti dhe janë zëvendësuar me eksponentë të botës së krimit apo kushërinj, kushërira, etj, etj.
Kërcënimi është metoda bazë e përcaktimit në lista të deputetëve.
Kështu, në rast se Rama dëshironte që të lante duart me Gjiknurin, Gjiknuri i çoi një zarf jo me para, por me fotot e McGonigalit. Dhe Gjiknuri u rikthye në lista.
Dhashë këtë shembull se si po caktohet lista në krahun tjetër.
Mund t’u sjell edhe shembuj të tjerë plot se si famëzi Ceno Klosi përjashtoi socialistin asnjëherë të mençur, Petro Koçi. E të tjera me radhë, por nuk jemi për këtë çështje këtu. Koalicioni për ‘Shqipërinë Madhështore’ paraqitet para shqiptarëve me listën më dinjitoze që është paraqitur ndonjëherë kjo parti, me luftëtarë të vendosur të kauzave të drejta të kësaj partie, të cilët në 4 vite kanë bërë betejat më të fuqishme që ka njohur opozitarizmi në Shqipëri.

Paraqitet me specialistë të shquar, me përfaqëues të inteligjencës shqiptare, të diasporës, të komuniteteve të ndryshme, dhe ndonjëherë nuk ka pasur ndonjë përfaqësi kaq të plotë para zgjedhësve shqiptarë.
Përfaqësohen gra të shquara, të rinj të vendosur dhe energjikë.
Pra, kryesia do bëjë përzgjedhjen përfundimtare të këtyre kandidaturave dhe jam i bindur se impakti i tyre tek qytetarët shqiptarë do jetë i një fakti që ndez peshë, çon peshë zemrat e tyre.
Natyrisht kjo garë elektorale, e cila ka krijuar siç keni parë vetë një klimë të pashembullt nga ’90-a gjer sot, ka si frymëzim programin e PD, një program që në shtyllat e tij, në paketën e dhembshurisë, në shtyllën Made in Albania, Shqipëria Madhështore është programi në distancë më i mirë që kanë pasur ndonjëherë shqiptarët para tyre, dhe programi më realist.

 

 

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu