RENEA dhe FNSH vijojnë kontrollet në disa zona të Shkodrës, pas atentatit mafioz që ndodhi pasditen e 30 tetorit, ku humbën jetën 4 persona, mes të cilëve dy qytetarë të pafajshëm.
Viktima të atentatit që ndodhi në aksin Shkodër – Koplik, pranë ish SMT, mbetën Hamza Lici dhe Arlind Bushati, si dhe çifti Flutura dhe Bashkim Basha, që u goditën nga automjeti ku udhëtonin Lici dhe Bushati, pasi më parë ndaj tyre u shkrehën breshëri automatike.
Hetimet për atentatin zhvillohen intensivisht, policia me forcat RENEA e FNSH kanë zhvilluar kontrolle makinash dhe banesash në disa lagje dhe zona të Shkodrës, si: Dobraç, në një pjesë të Kirasit dhe lagjen “Guerile”.
Ende nuk dihet nëse nga këto kontrolle janë gjetur prova që mund të hedhin më shumë dritë mbi ngjarjen e rëndë.
Zyrtarisht nuk ka ende persona të dyshuar si autorë të atentatit mafioz, apo një pistë konkrete lidhur me ngjarjen e rëndë që i mori jetën 4 personave.