Ballina Kronike Arrestohet një nga autorët e dyshuar të dhunimit të drejtorit të AKU...

Arrestohet një nga autorët e dyshuar të dhunimit të drejtorit të AKU Shkodër, shpallet në kërkim bashkëpunëtori

Policia e Shkodrës ka arrestuar një nga personat e dyshuar si të përfshirë në dhunimin e drejtorit të Autoritetit Kombëtar të Ushqimit në Shkodër, Ramir Haderi. Në pranga ka rënë shtetasi Elis Çela, banues në lagjen “Kiras” të Shkodrës. Sipas hetimeve paraprake, ai dyshohet se ka transportuar me automjet autorin që goditi drejtorin Haderi dhe më pas është larguar nga vendngjarja. Ndërkohë, policia ka identifikuar edhe personin tjetër që dyshohet si autori kryesor i sulmit. Ai është shpallur në kërkim dhe strukturat policore po vijojnë punën për lokalizimin dhe kapjen e tij. Ngjarja ndodhi mbrëmjen e 21 majit në lagjen “Rus” të Shkodrës, ku drejtori i AKU-së, Ramir Haderi, u sulmua nga një person me një send të fortë. Si pasojë e goditjes, ai pësoi një plagë në pjesën e vetullës dhe mori ndihmën mjekësore në spital, për t’u larguar më pas në banesë jashtë rrezikut për jetën. Një ditë pas incidentit, Haderi reagoi publikisht duke deklaruar se sulmi nuk do ta ndalë në ushtrimin e detyrës së tij. Burime pranë hetimit bëjnë me dije se një nga pistat kryesore lidhet me veprimtarinë e tij institucionale, ndërsa dyshohet se personat e përfshirë në ngjarje mund të jenë ekzekutues të paguar dhe se porositësit e sulmit mund të jenë persona të tjerë. Policia dhe grupi hetimor po vijojnë veprimet për zbardhjen e plotë të ngjarjes, identifikimin e çdo personi të përfshirë dhe dokumentimin e motiveve të sulmit.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

Enable Notifications OK No thanks