U dënua të hënën me vendim të formës së prerë nga Apeli i GJKKO me 2 vite e 8 muaj burg, por pas dy ditësh ish-kryebashkiaku i Lezhës Fran Frrokaj nuk është arrestuar ende.

Ish-zyrtari i lartë nuk gjendet në banesë. Dy prokuroret e SPAK, Dritan Premçi dhe Vladimir Mara, nxorën urdhrin për ekzekutimin e dënimit menjëherë pas dënimit por Frrokaj është ende në kërkim  për t’u rikthyer në qeli. Sipas informacioneve dhe verifikimeve të prokurorisë së posaçme në sistemin TIMS, Frrokaj ndodhet në territorin e Shqipërisë ndërkohe vijojnë kërkimet për gjetjen e tij, dhe zbatimin e vendimit të gjykatës.

Të hënën e kësaj jave Gjykata e Apelit të Posaçëm, e dënoi me 4 vite burg ish-kryetarin e bashkisë së Lezhës Fran Frrokaj, pasi u gjet u gjet fajtor për akuzën ë shpërdorimit të detyrës kur ishte kryetar komune në “Shënkoll” të Lezhës në lidhje me tjetërsimin e 66 mijë m2 prona në vendin e njohur si “Rana e Hedhun” si dhe për 2 leje ndërtimi të paligjshme. Për shkak të gjykimit të shkurtuar ai do të vuajë 2 vite e 8 muaj burg, dyfishimi i dënimit që Frrokaj mori nga shkalla e pare. Përveç Frrokajt gjykata ndryshoi vendimin edhe për ish zyrtarët e bashkisë së Lezhës, Bledar Cara dhe Juxhina Memën. Cara ndryshe nga shkalla e parë që pushoi hetimet, u dënua nga apeli me 1 vit e 4 muaj heqje lirie. Edhe për Juxhina Memën u dha i njëjti vendim, por dënimi me burg u pezullua dhe u caktua shërbim prove për 5 vitet e ardhshme.

Ndërsa sipërfaqja e tokës prej 66 mijë metra katror në zonën e “Ranës së Hedhun” u konfiskua dhe kaloi për llogari të shtetit. Hetimet për përvetësimin e kësaj sipërfaqeje me vlerë rreth 13 milionë euro nisën që në vitin 2019. Nga hetimi ka rezultuar se punonjës të administratës së ish-Komunës Shënkoll mes të cilëve dhe Fran Frrokaj në atë kohë kryetar i kësaj komune, kanë favorizuar regjistrimin e 82 pasurive të paluajtshme për disa persona.

Frrokaj është dënuar me 2 vite burg edhe nga gjykata e Shkodrës që lidhet sërish me tjetërsimin e 234 mijë metrave tokë në bregdetin e Shëngjinit por përfitoi nga amnistia muaj më pare dhe ne 24 Prill 2024./shqiptarja.com

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu