Kreu i Prokurorise së Posaçme kundër Korrupsionit dhe  Krimit të Organizuar, Altin Dumani ka udhëtuar drejt Brazilit ku dhe ka zhvilluar një takim me zyrtarë dhe prokurorë të polcisë braziliane.

I shoqëruar nga Arben Kraja, Adnan Xholi, Vladimir Mara, Dumani bisedoi me homologët brazilianë lidhur me bandat shqiptare të cilat i kanë shtrirë “tentakulat” gjerësisht nëpër Amerikën e Jugut.

Gjatë këtij takimi në fokus ka qenë çmontimi i këtyre grupeve kriminale të cilët transportojnë sasi të mëdha kokaine nga Amerika e Jugut në Europë.  Lajmin për vizitën e kryeprokurorit e ka bërë me dije Ambasada amerikane.

“Drejtuesi i Prokurorisë së Posaçme, Altin Dumani kryesoi një delegacion që udhëtoi në Brazilia dhe Sao Paulo, Brazil për të forcuar bashkëpunimin me partnerë të rëndësishëm të fushës së zbatimit të ligjit në çmontimin e rrjeteve ndërkombëtare të krimit të organizuar. 

Z. Dumani dhe kolegët e tij u angazhuan me zyrtarë dhe prokurorë të policisë braziliane të nivelit më të lartë dhe shkëmbyen informacion për fuqinë dhe rolin e jashtëzakonshëm që grupet e krimit të organizuar shqiptar kanë në transportimin e sasive të mëdha të kokainës nga Amerika e Jugut në Europë. 

Zyra Tejoqeanike për Zhvillimin, Ndihmën dhe Trajnimin e Prokurorisë (OPDAT) mundësoi vizitën, e cila u financua nga Byroja Ndërkombëtare për Narkotikët dhe Çështjet e Zbatimit të Ligjit (INL) e Departamentit të Shtetit të SHBA. 

Z. Dumani iu bashkuan katër prokurorë të tjerë të SPAK-ut, këshilltari ligjor i SPAK-ut, një hetues i BKH-së, si dhe këshilltari ligjor amerikan dhe një agjent i FBI-së të vendosur pranë SPAK-ut”, thuhet në njoftimin e Ambasadës të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Krimi i organizuar shqiptar është aktiv në Evropë, Amerikën e Veriut, Amerikën e Jugut dhe pjesë të ndryshme të botës, duke përfshirë Lindjen e Mesme dhe Azinë. Mafia shqiptare merr pjesë në një sërë sipërmarrjesh kriminale, duke përfshirë trafikun e drogës, armëve dhe njerëzve.

Mediat e huaja me dhjetëra  herë kanë shkruar artikuj të ndryshëm ku dhe kanë theksuar se si bandat shqiptare janë të përhapura në Brazil dhe furnizojnë Shqipërinë e Europën me “pluhurin e bardhë”.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu