Në janarin e vitit të ardhshëm universiteti i Shkodrës “Luigj Gurakuqi” do të ketë një dokument strategjik të zhvillimit i ndarë në dy pika kryesore, zhvillimin e kapitalit njerëzor dhe integrimin në zonën europiane për arsimin e lartë. Një gjë e tillë u bë e ditur nga rektori i universitetit Tonin Gjuraj gjatë mbledhjes së senatit akademik. Ky dokument vjen edhe në kuadër të vizionit strategjik të politikave të arsimit të lartë 2030 të Këshillit të Arsimit të Lartë dhe Kërkimit Shkencor ku rektori Gjuraj u zgjodh si një prej 12 anëtarëve të këtij institucioni të rëndësishëm.
Rektori Gjuraj bëri të ditur se sëfundmi për universitetin e Shkodrës janë akredituar 10 programe studimi ndërsa po punohet edhe për akreditimin e 13 programeve të tjera nga 68 që janë në total.
Në mbledhjen e senatit, rektori Gjuraj i bëri të ditur drejtuesve të fakulteteve se do të ketë ndryshime thelbësore që lidhen me aktet rregullatore dhe statutin e universitetit sepse janë të mbirregulluara gjë e cila është në kundërshtim me vizionin europian të arsimit të lartë.
Mbledhja e senatit akademik të universitetit “Luigj Gurakuqi” vijoi me dyer të mbyllura duke diskutuar detajet teknike mbi rendin e ditës. Kjo mbledhje ishte e fundit për këtë vit.