Rreth 1100 efektivë policie do të jenë të gatishmëri për protestën e opozitës sot para Parlamentit. Gjithë perimetri i godinës së seancave plenare do të jetë i rrethuar me uniforma blu, ndërsa në të gjithë zonën janë shtuar masat e sigurisë.
Në vijën e parë do të qëndrojnë forcat e rendit dhe të njësisë “Shqiponja”, ndërsa ato të Ndërhyrjes së Shpejtë dhe RENEA do të jenë të dislokuara në pjesën e anësore të parlamentit.
Forca të shumta të policisë si dhe efektivë të Gardës do të jenë të dislokuara edhe në pjesën anësore nga krahu i “Pedonales” nga pritet të bëhet edhe hyrja e deputetëve.
Ambasada amerikanë në Tiranë, ka apeluar sërish shtetasit e saj për kujdes gjatë protestës që pritet të mbahet pasditen e sotme para parlamentit.
Ashtu si në cdo njoftim tjetër paralajmërues në rast protestash, ambasada amerikane njofton mbi orën dhe vendin e grumbullimi të protestuesve por pa specifikuar se kush e organizon atë.
Data/Ora: E hënë, 13 shkurt 2023, duke filluar nga ora 17:00.
Ngjarja: Është planifikuar të zhvillohet një protestë para godinës së Kuvendit. Kjo protestë ka potencialin të përhapet në rrugët përreth duke shkaktuar bllokime të trafikut, devijime dhe mbyllje të rrugëve. Qytetarët amerikanë këshillohen të shmangin tubimet e mëdha. Ndërsa shumë ngjarje të mëdha zhvillohen në mënyrë paqësore, situatat mund të ndryshojnë shpejt dhe në mënyrë të paparashikueshme. Monitoroni mediat lokale dhe ndiqni udhëzimet e autoriteteve lokale të zbatimit të ligjit për informacionin më të fundit.