Pas Tiranës, Shkodra u bë stacioni i radhës për ekspozitën “Italiae” që u çel në mjediset e Galerisë së Arteve. “Nga Alinarët tek mjeshtrat e fotografisë bashkëkohore”, kjo ekspozitë erdhi përmes një koleksioni të plotë prej 110 imazhesh të rralla që dëshmojnë magjinë dhe diversitetin e Italisë, të peisazheve, forcës krijuese dhe njerëzve të saj.

Në fjalën e tij përshëndetëse drejtuesi i Galerisë së Arteve Fatmir Juka foli për ndikimin e kulturës italiane në vendin tonë ndërsa i pranishëm ishte edhe Kryetari i Bashkisë së Shkodrës Bardh Spahia i cili vuri theksin tek planet e bashkëpunimit me Institutin Italian të Kulturës edhe për projekte të tjera në të ardhmen.Nga ana e tij drejtuesi i Institutit Italian të Kulturës Alessandro Ruggera u ndal tek mesazhi që sjell ky koleksion fotografik.”Ndihem shumë i gëzuar që gjendem këtu mes jush për të prezantuar këtë koleksion fotografish të kësaj ekspozite. Pas koncertit të këngëtarit italian Vinicio Capossela, kjo ekspozitë është tregues i një tjetër bashkëpunimi që do të vijojë edhe në të ardhmen. Koleksioni i ekspozuar sot quhet “Italie” në shumës sepse ngjan me një lloj vrapimi nëpër realitetin e kohës që ndryshon nga veriu në jug me diferencat e tij ku vihen re si pamjet urbane ashtu edhe ato të natyrës së virgjër apo jeta në fshat etj. Edhe mesazhi i këtyre fotografive është pasqyrimi i këtyre diferencave apo ndryshimeve që ka një vend si Italia por që në fund na bashkojnë të gjithëve si një shoqëri me dallime por edhe të përbashkëtat e saj.”

Kjo ekspozitë do të qëndrojë e hapur deri më 28 shkurt në Galerinë e Arteve në Shkodër.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu