Kryetari i Partisë së Lirisë, Ilir Meta, është drejtuar paraditen e kësaj të premteje në selinë e Partisë Demokratike, ku në mungesë të kryetarit Sali Berisha, ka zhvilluar një takim me Sekretarin e Përgjithshëm të kësaj partie, Flamur Noka.
Ndërsa nuk dihen ende arsyet e këtij takimi, por mendohet se kjo lëvizje vjen në kuadër të organizimit të aksionit politik për muajt në vijim në kuadër të koordimit për zgjedhjet vendore të 14 majit.
Kujtojmë se ky është takimi i parë për këtë vit mes aleatëve opozitarë.
Po ashtu kujtojmë se kryedemokrati Berisha prej ditësh po kalon një gjendje të rënduar shëndetësore si pasojë e virozave të stinës, gjë që e detyroi të mos ishte as dje në ceremoninë e 32-vjetorit të gazetës “Rilindja Demokratike”, organi zyrtar i PD-së.
Nga ana tjetër, këtë të premte edhe Kryeministri Edi Rama do të vijojë takimin e radhës informal në vijim të përcaktimit të objektivave për 2023-in dhe veçanërisht për zgjedhjet vendore të 14 majit.
Pas takimit dy ditor me anëtarët e kabinetit të tij, Rama vijon në informalitet me një tjetër takim, kësaj radhe me drejtuesit e PS-së në qarqe.
Takimet e Ramës vijnë në një kohë kur Sali Berisha ka zyrtarizuar kandidatët përmes primareve, ndërsa vijon të jetë e ndarë me grupimin e Enkelejd Alibeajt, i cili si pasojë e mbajtjes së vulës së partisë, ka deklaruar se do të dalë në zgjedhje me kandidatët e tij në të gjitha bashkitë.
E ndërsa PD lundron në ujëra të trazuara, nga ana e saj Partia Socialiste nuk ka bërë asgjë publike deri më tani. Por ajo që dihet është që Erion Veliaj do të rikandidojë në Tiranë, e ndërsa Dritan Leli nuk do të ketë një shans të dytë në Vlorë.
Në fakt takimi i radhës i kryeministrit Rama me drejtuesit e qarqeve është lajmëruar për t’u mbajtur në orën 13:00 tek “Vila qeveritare 30”, ku në fokus mendohet të jenë dy pika: situata në rrethe dhe zgjedhjet e 14 majit, ku më shumë këto takime shihen si një përpjekje e Ramës për të mobilizuar njerëzit brenda vetes, mbasi duket se diçka nuk shkon brenda forcës më të madhe të mazhorancës, e cila prej javësh gjendet në një vorbull rivaliteti të grupeve brenda socialistëve.
Ndërkaq lidhur me fushatën elektorale, tashmë kryeministri Rama duket se po e përqëndron vëmendjen tek Pakoja e Madhe e ndihmës prej 8 miliardë lekësh, që do të shpërndahet për disa kategori dhe që vjen pikërisht 5 muaj para zgjedhjeve, gjë që ka bërë që kjo pako të shihet si ‘çelësi i artë’ që do të bëjë diferencën në 14 maj.
Kjo pasi në këtë paketë parashikohet ndarja prej 8 mijë lekësh të reja për 695 mijë pensionistët e vendit, po ashtu pakoja në fjalë parashikon dhe shtesa për pagat e punonjësve të administratës, çka është komentuar gjerësisht në opinionin publik si formë e intimidimit nga ana e qeverisë për përfitime në vota.






