Kisha katolike në Shkodër në festën e shenjtë të Krishtlindjes priti vizitat e autoriteteve vendore. Kryetari i bashkisë Shkodër Bardh Spahia, i shoqëruar nga përfaqësues të PD uroi arqipeshkëvin Massafra dhe gjithe besimtarët e krishterë në festën e Krishtlindjes duke theksuar se shkodranët dhe shqiptarët do të dinë të kthehen tek vlerat e vërteta ndërsa një urim përcolli edhe kreu i PD Gjenerin Kapcari. Ne mesazhin e tij Spahia theksoi:
Me gëzimin që të jep festa e Krishtlindjes, ju bashkova urimeve në Arqipeshkvinë e Shkodrës për të gjithë besimtarët e krishterë.
Së bashku me kryesinë e PD Shkodër dhe arqipeshkëvin, monsinjor Angelo Massafra trokitëm gotat me urimin për mbarësi në çdo familje shkodrane e shqiptare, që të mbizotërojë paqja, harmonia dhe dashuria mes njeri – tjetrit. Shkodra është shembulli më i bukur i festave që na bëjnë të gjithëve bashkë. Krishtlindje të bardha dhe një vit i mbarë 🎄për shqiptarët kudo janë.
Ndërkohë pjesa tjetër e autoriteteve dhe përfaqësuesve politik të Shkodrës nga radhët e PS munguan në vizitat e zakonshme të kësaj feste bashkë me përfaqësues të klerit të besimeve të tjera. Myftiu i Shkodrës Imam Muhamed Sytari uroi përmes rrjeteve sociale festën e shenjtë të Krishtlindjes. Përveç autoriteteve, gjatë pritjeve zyrtare në arqipeshkëvinë e Shkodrës zhvilluan vizita edhe qytetarë të thjeshtë duke uruar festën e shenjtë të Krishtlindjes.






