Kryeministri Edi Rama zhvilloi sot një takim të zgjeruar me përfaqësues të dhomave të tregtisë shqiptare dhe të huaja për të diskutuar mbi përmirësimin e klimës së biznesit në Shqipëri dhe forcimin e dialogut për të rritur reciprokisht kontributin në funksion të zhvillimit ekonomik e social të vendit.

Kryeministri theksoi se është shumë e nevojshme që ndërveprimi me biznesin, i cili përgjithësisht kanalizohet nëpërmjet  dhomave të tregtisë, të jetë dinamik në vazhdimësi.

“Për këtë arsye,  – u shpreh kryeministri – ne duam të diskutojmë me ju dhe të ndërtojmë një format të një dialogu sistematik, por edhe në funksion edhe të transparencës, me gjithë komunitetin e biznesit, me publikun, me partnerët ndërkombëtare dhe me ato organizata që merren me anketime dhe me raporte të rezultateve reale, në fushën e përmirësimit të klimës së biznesit.”

Kryeministri bashkëbisedoi me përfaqësuesit e biznesit, të cilët paraqitën rekomandimet e tyre në këtë drejtim, ndërsa nënvizoi ndër të tjera nevojën e përmirësimit të legjislacionit të dhomave të tregtisë dhe përafrimin e tij me standardet më të mira të vendeve më të zhvilluara.

* * *

Për t’iu dhënë mundësinë të gjithë përfaqësuesve këtu të dhomave të tregtisë dhe të biznesit të japin opinionet e tyre nëse dëshirojnë, dua të përqendrohem në pak pika, së pari në nevojën për një riformim të legjislacionit të dhomave të tregtisë. Besoj që ka ardhur koha që ne ta përmirësojmë legjislacionin dhe ta përafrojmë atë me standardet më të mira të vendeve më të zhvilluara ose të vendeve në zhvillim si ne që janë shumë më të avancuara në këtë pikë. Kemi një legjislacion shumë të prapambetur për funksionimin e dhomave të tregtisë.

Se dyti, dëshiroj të them që është shumë e nevojshme sipas meje që ndërveprimi ynë me biznesin që përgjithësisht analizohet nëpërmjet dhomave të tregtisë të jetë dinamik në vazhdimësi dhe për këtë arsye pas një takimit të parë që kemi bërë me disa prej dhomave, ne duam që të diskutojmë me ju dhe të ndërtojmë një format të një dialogu sistematik, por edhe ne funksion të transparencës me gjithë komunitetin e biznesit, me publikun, me partnerët ndërkombëtarë, dhe me ato organizata që merren me anketime dhe me raporte të rezultateve reale në fushën e përmirësimit të klimës së biznesit, që klima e biznesit ka problematika te veta kjo as nuk diskutohet por mjafton t’i hedhësh një sy gjithë hapave që janë bërë për të përshpejtuar procese, për të lehtësuar procese, për të transformuar procese, nga procesi deri dje të lodhshme, zvarritëse më radha, me pritje me sportele  me histori, në procese që sot janë elektronike, janë pa kontakt fizik, është e pamundur që kjo të mos reflektohet. Që kjo të mos reflektohet në raportet që bëjnë vetë dhomat e tregtisë, është e pamundur që ne të vazhdojmë të jemi pre’ e anketave joprofesionale, që ta themi troç, jo profesionale që faktikisht cenojnë punën tonë të përbashkët, cenojnë imazhin  e këtij vendi dhe cenojnë vetë klimën e biznesit vetvetiu, është e pamundur kjo.

Nuk mund të jemi pre e opinioneve të mbledhura rrugëve, nuk mund të jemi pre e opinioneve të marra dhe të përpunuara krejtësisht kaotike dhe nuk mund të jemi pre e kanaleve që përçojnë në mënyrë të vazhdueshme e opinioneve që nuk përputhen me realitetin.

Nuk ka asgjë për të ngjyrosur me rozë në realitet, por ama që sot janë dita me natën shumë nga ndërveprimet me biznesit dhe institucioneve që sot, është dita me natën jeta e një importuesi, jeta e një eksportuesi, jeta e një sipërmarrësi që i ka shumë më të pakta hallet që kishte dje.

Për shkak të këtyre ndërveprimeve është e pakuptueshme dhe është e pajustifikueshme që kjo të mos pasqyrohet.

Ne kemi bërë të gjitha përpjekjet, do vazhdojmë të bëjmë edhe më shumë përpjekje se kjo punë është mësim i përditshëm, për të krijuar një ndërveprim sa më dinamik dhe sa më transparent me biznesin,  por ama unë besoj që na takon të kërkojmë nga të gjitha dhomat e biznesit që përgatisin raportet e klimës, që te jenë më të përgjegjshme ne mënyrën si i përgatisin ato raporte.

Jo sepse dua unë, po sepse është e pamundur që Shqipëria nëpër raporte  të dalë njësoj, siç kur kishte radha kilometrike nëpër sportel, siç kur kishte kontrolle arbitrare ditë, natë tek dyert e bizneseve, siç kur kishte prita të njëpasnjëshme edhe nëpër dogana e nëpër porte e nëpër pika kufitare, siç kur kishte rimbursim TVSH-je që ishin komplet arbitrare dhe sot që të gjitha këto nuk ekzistojnë. Janë të gjitha këto të kthyer në ndërveprime tërësisht pa prani fizike të askujt nga shteti, janë elektronike nga shteti, si qenkan tani këto njësoj? Si dalkan tani këto ? Këto dalin njësoj vetëm nga arbitrariteti dhe brutaliteti i atyre që flasin pa lidhje se s’ka asnjë arsye tjetër dhe nga anketime që bëhen në mënyrë joprofesionale, shumë e thjeshtë. Kjo kërkese e imja nuk ka të bëjë me qeverinë, nuk ka të bëjë me ndonjë nevojë të qeverisë në vetvete. Kjo kërkesë e imja ka të bëjë me një raport përgjegjshmërie me vendin të të dy palëve dhe një raport përgjegjshmërie, në raport me gjithë bashkësinë e biznesit dhe me gjithë nevojën e përbashkët që ne kemi për të forcuar komunitetin e biznesit. Tjetra, që dua të nënvizoj është situata me energjinë dhe dëshiroj që të theksoj nevojën qe të nxisim sa më shumë kalimin e një pjese të konsumit energjetik dhe sigurisht biznesi mund ta paraprijë këtë gjë, me burim energjinë diellore dhe është koha për t’i rënë lapsit të gjithë dhe për të mos kërkuar që investimet për të prodhuar energji në fabrikë të pranohen nga shteti si investime të cilat duhet të përkthehen në një shkëmbim energjie ne rrjet.

Kjo nuk mund të ndodhë për një arsye shumë të thjeshtë, për të njëjtën arsye që nuk ndodh në asnjë vend të botës sot sepse nuk e ka shpikur akoma bota formulën se si mund të futen në rrjet të gjithë megavatet e kilovatët që prodhohen nga energjia diellore e një subjekti privat.

Është e  pamundur, por ama, nga ana tjetër, llogaria është shumë e thjeshtë, çdo investim që bëhet në një vend si Shqipëria për të prodhuar një pjesë të konsumit të energjisë vetë nga dielli është padyshim një investim që në afatmesëm është tërësisht fitimprurës dhe që ul ndjeshëm koston e energjisë për biznesin, ashtu sikundër nga ana tjetër, ne jemi krejtësisht të hapur të konsiderojmë instrumente incentivues për t’i bërë këto investime. Nuk dëshiroj të hedhim këtu ide, të cilat janë ta pakolauduara, por ne i mirëpresim të gjitha idetë nga ju dhe nga cilido tjetër që i përket këtij komuniteti dhe që jeton me këtë hall të madh për se si ne mund të lehtësojmë investimet, pa, duke e harruar plotësisht shkëmbimin e energjisë, kjo nuk mund të ndodhë, është teknikisht e pamundur, nuk e ka zgjidhur askush deri më sot dhe deri kur ta zgjidhi bota këtë punë, në kuptimin kur ta gjithë shkenca, ne nuk mund do të bëjmë aventura të tilla.

Por ama, çdo gjë tjetër që ka të bëjë më lehtësimin në aspektin fiskal mbase, në aspektin e mbështetjes financiare në një formë apo në një tjetër, nëse mund të gjendet, ne jemi të gatshëm ta bëjmë. Dhe e fundit që kam është që ne do të ndërmarrim një proces intensiv kontaktesh me kompanitë për t’i informuar lidhur me kushtet sot në Shqipëri për të zhvilluar me një kohe relativisht të shpejtë përmes kurseve të super specializuara dhe të certifikuara ndërkombëtarisht  që sot në Shqipëri ekzistojnë mbas një përpjekje shumë të madhe që kemi bërë për t’i krijuar në mënyrë që biznesi të ketë shumë më tepër burime njerëzore të kualifikuara në informatikë, në digjitalizimi, në IT.

Është e domosdoshme të ndërveprojnë, është e domosdoshme që kompanitë të informohen dhe është e domosdoshme që kompanitë të marrin pjesë në këtë proces duke financuar asgjë më shumë sesa ato burime njerëzore që i duan për vete, pra duke iu dhënë mundësi vajzave dhe djemve të talentuar që nuk e kanë mundësinë financiare për të paguar këto kurse që të mund t’i zhvillojnë këto kurse dhe  pastaj të punojnë në kompanitë e tyre përkatëse.

Nuk bëhet fjalë për të kërkuar para, për të sponsorizuar një aktivitet që nuk është drejtpërdrejtë i lidhur me interesin e kompanive. Kërkesat e kompanive për më shumë burime njerëzore te kualifikuara në IT, në informatikë, në digjitalizim, po e them me një fjalë duke thënë të njëjtën gjë janë të shumta, janë në rritje. Të gjitha kompanive, kujt më shpejtë e kujt më vonë i lind kjo nevojë apo i shtohet kjo nevojë, dhe për këtë arsye ne besojmë që duket krijuar një ndërveprim në funksion të zhvillimin e këtyre kurseve të super specializuara që brenda 6 muajsh kthejnë një person që është krejtësisht fillestar në një profesionist të kodimit të mund të realizojmë një kërcim në aspektin e kapaciteteve të kompanive.

Dhe natyrisht t’u japim mundësi shumë më tepër vajzave dhe djemve që të punësohen në një punë të mirëpaguar, se këto janë punë, ju e dini vetë, të mirë paguara dhe kështu rrisim reciprokisht edhe kapacitetin e biznesin, por edhe numrin e vendeve të punës te mirë paguar. Këto janë pikat që unë doja të ndaja me ju. Natyrisht që në vijim, të dyja ministret, Ministrja për Mbrojtjen e Sipërmarrjes dhe Ministrja për Rininë dhe Fëmijët që faktikisht mbulon edhe gjithë programin e kodimit dhe i ka të gjitha informacionet mund të ndërhyjnë në rast nevoje, kështu që fjala është për këdo qoftë prej jush që dëshiron të flasë.  

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu