Presidenti i Italisë Sergio Mattarella ka konfirmuar mbështetjen e Italisë për Shqipërinë në rrugëtimin europian.
Në konferencën e sotme me presidentin e Republikës Bajram Begaj, Mattarella tha se roli i Shqipërisë është vendimtar për rajonin.
Sipas tij, pa vendet e Ballkanit Perëndimor, BE nuk është i plotë.
“Jam veçanërisht i lumtur të takoj presidentin Begaj, pak kohë pas zgjedhjes, duke e uruar dhe falënderuar për fjalët që tha.
Një lidhje mes Shqipërisë dhe Italisë që është rritur dhe mes komunitetit të italianëve në Shqipëri dhe të shqiptarëve në Itali. E kemi pritur me kënaqësi të madhe, arritjen e udhëtimit historik për hapjen e negociatave të Shqipërisë.
BE me pak vonesë arriti të kalojë dhe të realizojë premtimin e dhënë popullit shqiptar. Vende si Italia e kanë mbështetur hapjen e negociatave të Shqipërisë me BE dhe shpresojmë që kjo të ecë shpejt me anëtarësimin në BE.
Jam i sigurt se puna që do të zhvillohet në kuadër të komitetit ekonomik do të jetë e çmuar për të shtuar këto perspektiva dhe investimet italiane në Shqipëri. Janë të gjitha kushtet për rritur bashkëpunimin dhe investimet italiane në Shqipëri. Siç nënvizoi presidenti Begaj, shkëmbimet kulturore paraqesin një mundësi të mirë. Kontributi i komunitetit arbëresh në Itali është i madh, duke ruajtur me shekuj traditën e tyre. I rëndësishëm bashkëpunimi mes universiteteve tona. Po zhvillohet gjithmonë e më shumë, shpresoj në forcimin e bashkëpunimit.
Dua të rinovoj urimet për Shqipërinë për rolin në Këshillin e Sigurimit të OKB. Jam i lumtur për bashkëpunimin tonë. E dimë mirë se e ardhmja e Shqipërisë është në BE. Pa vendet e Ballkanit Perëndimor, BE nuk është i plotë.
Roli i Shqipërisë është vendimtar për rajonin.
Italia mendon se duhet mbajtur një presion i lartë mbi Rusinë për të hapur rrugë dialogu për paqen.
Në sektorin energjetik kriza që po zhvillohet është e rëndë dhe kjo kërkon një mendim kolektiv për fondet dhe është e rëndësishme për Italinë për të larguar varësinë nga Rusia për burimet energjetike. Objektivi i përbashkët është të sigurojmë lidhjen mes BE-së dhe Ballkanit Perëndimor”, deklaroi Presidenti i Italisë.