Ambasadorja e BE-së, Christiane Hohmann, zbaroi sot në Shkodër për tu njohur nga afër me situatën e banorëve atje pas përmbytjeve shkatërrimtare.
“Sot jemi në Shkodër. Kemi ardhur në zonën që ka pësuar katastrofë dhe humbje nga përmbytjet e fundit. Jemi për të parë situatën e familjeve. Jemi këtu për të folur për mbrojtjen e familjeve”.
Diplomatja europiane vuri theksin te masat që duhet të merren për parandalimin e tyre, ose të paktën minimizimin sa të jetë e mundur të pasojave nga përmbytjet.
“Çdo euro e investuar në parandalim kursen 100 euro të tjera të investuar në pastrim pasi të ketë ndodhur katastrofa. Mbajtja pastër e kanaleve të kullimit, pastrimi i tyre para kohe është një masë shumë e rëndësishme që të parandalohet kjo përmbytje, por natyrisht nuk është e mjaftueshme siç mund ta shohim”.
Ajo tha se BE do të ofrojë mbështetjen e saj në këtë drejtim.
“Edhe bashkia Shkodër ka bërë kërkesë të marrë imazhe, pamje satelitore në mënyrë që të kuptojë situatën në komunitet. BE është këtu, nuk u ikën problemeve. Ne jemi këtu për t’ju ndihmuar në mënyrë që të zhvillohen dhe kapacitetet në mënyrë që edhe ju të reagoni sa më shpejt”.






