50 vjetorin e daljes në skenë e shënoi me recitalin e tij të 15-të, që e pagëzoi “Lezet në pushtet”. Çdo vit rikthimin e tij nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, mjeshtri i madh i humorit Sandër Ruçi zgjedh ta bëjë me një premierë për publikun e Shkodrës, prej të cilit ka marrë pa fund duartrokitje dhe vlerësime.
Materialet e përzgjedhura të kësaj premiere ishin tejet të veçanta, ku përmes ironisë dhe batutave të humorit, ai thumbon realitete që i jetojmë në përditshmëri. Personazhe dhe karaktere që t’i ngjisësh në skenë do guxim por edhe shumë mund, gjë që nuk i ka munguar aktorit Ruçi.
E gjithë barra e kësaj premiere ishte mbi supet e tij dhe ndërtimi i skeçeve kishte ndërthurje tejet të veçanta, që nga lufta për titujt “Mjeshtër i Madh”, situatat e krijuara mes politikës dhe ambasadorëve, apo fenomeve të tjera që në Shqipëri marrin përmasa shpesh edhe groteske.
Për dy netë me radhë spektatori Shkodran shijoi këtë premierë në teatrin “Migjeni”.








