Ballina Kronike Italia e arrestoi për vjedhje, përjashtohet nga policia oficeri i Patrullës së...

Italia e arrestoi për vjedhje, përjashtohet nga policia oficeri i Patrullës së Përgjithshme, djalë dëshmori

Përjashtohet polici i Lezhës, Klisman Nikolli, i cili u arrestua në Itali si pjesë e një bande grabitësish.

“Departamenti i Marrëdhënieve Ndërkombëtare në Policinë e Shtetit, në kuadër të bashkëpunimit dhe shkëmbimit të informacioneve me homologët, me qëllim parandalimin dhe goditjen e krimeve dhe të paligjshmërive në përgjithësi, ka marrë njoftim se shtetasi K. N., 27 vjeç, me detyrë oficer i Patrullës së Përgjithshme në Postën e Policisë Shëngjin, në Komisariatin e Policisë Lezhë, ishte arrestuar nga organet ligjzbatuese italiane, për veprën penale “Vjedhja”. Menjëherë pas njoftimit të marrë nga homologët italianë, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit ka firmosur përjashtimin nga Policia e Shtetit, të punonjësit të Policisë K. N: thuhet në njoftimin e policisë.

Iku me leje mujore

Në njoftim thuhet se punonjësi i Policisë, Klisman Nikolli, konform procedurave ligjore, ka marrë leje pa të drejtë page, nga data 1 nëntor 2022 deri më datë 31 dhjetor 2022.

Kjo leje i është miratuar nga eprori i tij, për dalje jashtë shtetit, pas kërkesës së bërë nga vetë punonjësi, për arsye shëndetësore.

Rekrutimi, Nikolli djali i një dëshmori të policisë

Policia sqaron se rekrutimet në Kolegjin e Policisë, të Akademisë së Sigurisë,  për Patrullë të Përgjithshme, bëhen në zbatim të ligjit “Për Policinë e Shtetit” dhe në zbatim të kritereve të përcaktuara me VKM. Aplikantët kalojnë disa faza testimi dhe verifikimi, të cilat përjashtojnë kategorikisht mundësinë e hyrjes në Akademi, të aplikantëve me të kaluar kriminale.

Përsa i përket shtetasit Nikolli të arrestuar nga autoritetet policore italiane, tashmë ish-punonjës i Policisë, policia sqaron se pranimi i tij në Akademinë e Sigurisë, është bërë konform procedurave ligjore dhe se 27-vjeçari është djali i një dëshmori të Policisë. 

Gjithashtu, policia sqaron se në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit dhe në drejtoritë vendore të Policisë, janë ngritur dhe funksionojnë këshillat e emërtesës, për emërimin e drejtuesve të strukturave të Policisë, bazuar në rezultatet e punës, profesionalizmin, integritetin dhe pastërtinë e figurës.

Arrestimi në Itali

Klisman Nikolli u arrestua nga policia italiane sëbashku me dy shqiptarë të tjerë, Viktor Bilani, 30 vjeç, e Flor Koca 35 vjeç.

Ata akuzohen  për grabitjen  e 18 vilave dhe banesave në territoret e komunave Portogruaro, Concordia Sagittaria, San Michele al Tagliamento, Azzano Decimo, Chions e Musile di Pia, të rajoneve Veneto e Friuli.

Të tre shqiptarët janë arrestuar pak orë para se të udhëtonin drejt Shqipërisë sëbashku më mallin e grabitur.

Para prokurorëve italianë kanë zgjedhur të heshtin e të mos u përgjigjen pyetjeve, ndërsa kërkesa e avokates mbrojtëse për të lehtësuar masën e ndalimit me burg është hedhur poshtë pasi për autoritetet italiane, tre të arrestuarit konsiderohen persona në rrezik arratisje e largimi nga territori italian.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

Enable Notifications OK No thanks