Ballina Analiza dhe Komente Historik i shkurtër dhe disa rekomandime mbi përmbytjet në rajonin e Shkodrës

Historik i shkurtër dhe disa rekomandime mbi përmbytjet në rajonin e Shkodrës

Nga prof.Ervis Krymi/ Historik i shkurtër dhe disa rekomandime mbi përmbytjet në rajonin e Shkodrës

Përmbytjet në rajonin e Shkodrës janë dukuri natyrore, që kanë shkaktuar dëme të mëdha. Në një periudhe mesatare prej 110-112 vjetësh lumi Drin, porsa dilte nga gryka e Vau Dejës, ka ndërruar shpesh rrjedhjën kryesore, duke kaluar herë në Shkodër dhe herë në Lezhë e duke përmbytur e lënë gjurmë të veprimtarise së tij. Mendohet se në fushën e Trushit, gjatë 400 vjetëve lumi Drin ka depozituar deri në 3 metra material të ngurtë. Në vitin 1956, me ndërtimin e pritës së Gjadrit, u ndërpre derdhja e një pjese të Drinit në Lezhë, duke kaluar të gjitha ujërat e tij në drejtim të Shkodrës.

Por me plotat e janarit 1963, Drini e çeli prapë shtratin e tij, duke kaluar përsëri rreth 1/3 e tij në drejtim të Lezhës (PANO & SARAÇI 1963).
Veç përmbytjeve në vitet 1854, 1871 e 1897 në qytetin e Shkodrës dhe në Ultësirën poshtë Shkodrës ka pasur përmbytje dhe në vitet 1905, 1916, 1937 dhe më vonë në vitet 1946, 1952, 1960, 1962-1963, 1970, 1971, 1979, 1994, 2004, 2010, 2011, 2018, 2021 e deri tek situatat aktuale këto ditë.

Vërshimi i madh me karakter historik i Drinit ndodhi gjatë datave 10-13 janar 1963, për efekt të reshjeve të shumta në formë shiu që ranë në pellgun shimbledhës të tij. Rënia e shiut u shoqërua dhe me shkrirjen e borës së madhe që kishte rënë ditë më parë si rezultat i temperaturave të larta,dhe reshjeve të shiut. Kështu që ushqimi i ketij vërshimi ishte i përzier – shi dhe shkrirje bore. Niveli i Drinit nga baza e shtratit arriti 6.73 m, i Bunës arriti 9.64 m. Në pellgun e Bunës e të Drinit u përmbytën Fusha e Zadrimës së Shkodrës dhe e Lezhës dhe Bregu i Bunës me një sipërfaqe të përgjithshme të përmbytur prej 18.600 ha, me një kohë të qëndrimit nën ujë të tokave prej 22 ditësh mesatarisht (HIDMET 1964).

Pas ndërtimit të kaskadë së Drinit (viti 1985), u realizua rregullimi pjesor i rrjedhjës ujore të Drinit poshtë Fierzës. Në këtë zonë nga Kukësi deri në Vaun e Dejës formohet pjesa më madhe e rrjedhjës së plotave maksimale të Drinit (rreth 60 për qind e vëllimit të tyre), për shkak të shirave më të shumtë dhe të kushteve të terrenit. Kjo shihet edhe nga përmasat e plotave të verifikuara pas ndërtimit të kësaj kaskade.

Gjatë 10-15 ditëve të fundit të Dhjetorit 2009 e Janarit 2010 situata meteorologjike u karakterizua nga shira të pandërprera që vazhduan edhe në javën e parë të janarit. Në disa ditë, në zonat e larta malore pati dhe reshje dëbore që arritën një lartësi shtresë prej 50-100 cm. Shirat dhe ngritja e temperaturave shkrinë brenda pak kohësh gjithë borën e rënë. Kjo situatë u përsërit dy herë dhe u reflektua në krijimin e rrjedhjeve të shumta e të vazhdueshme ujore të përrenjve e lumenjve si dhe furnizim të vazhdueshëm të tyre edhe nga burimet nëntokësorë.

Situata e përsëritjes së përmbytjes nga 2010 deri 2022 është shpeshtuar si fenomen.

Rekomandime

  1. Njohja në mënyrë të sigurt dhe afatmesëm e prurjeve të mundshme që vijnë në kaskadë dhe në Liqenin e Shkodrës të cilat kalojnë nëpërmjet Bunës. Mendojmë se ka ndryshime të dukshme në regjimin e tyre gjatë viteve të fundit.
  2. Studimi i aftësisë tërheqëse të Bunës dhe rritja e saj duke llogaritur edhe hapësirën jashtë brigjeve deri te argjinaturat mbrojtëse.
  3. Menaxhimi me nivel të lartë i kaskadës në përputhje edhe me aftësinë tërheqëse të ujërave përmes Bunës, kanaleve të mëdhenj e hidrovorëve.
  4. Krijimi i argjinaturës bregdetare, jo në vijë të drejt sipas vijës së detit drejt por me zigzak, në një largësi të përshtatshme nga vija bregdetare dhe duke lënë në marrdhënie me detin të gjitha lagunat, të mëdha apo të vogla qofshin, të cilat shërbejnë si hapësira për shfryrje dhe amortizim të forcës së detit.
  5. Ngritja e infrastrukturës së sigurtë për rrjedhjet lumore, argjinatura në dy anët e rrjedhjeve, kanale të mëdhenj kullues, shtim të hidrovorëve në pika të reja në varësi me pjesën e sasisë së ujërave të tepërt që duhet të tërhiqet nëpërmjet tyre.
  6. Largimi i gjithë atyre ndërtimeve në territore që janë të dominuara nga ujërat të cilët jo vetëm janë në rrezik por edhe pengojnë, pasi janë barriera për tërheqjen e ujërave.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

Enable Notifications OK No thanks