Ballina Kronike TRONDITËSE/ 13-vjeçarja largohet nga shkolla dhe zhduket për ditë të tëra, hetimet...

TRONDITËSE/ 13-vjeçarja largohet nga shkolla dhe zhduket për ditë të tëra, hetimet zbulojnë abuzimet në disa qytete

Një ngjarje e rëndë është regjistruar nga policia e Shkodrës, ku një 13-vjeçare shqiptaro – amerikane u largua nga banesa dhe për disa ditë nuk u kthye pranë familjes. Pas denoncimit, strukturat policore në Shkodër dhe në disa qarqe të tjera nisën kërkimet për gjetjen e saj, në bashkëpunim me Prokurorinë dhe me asistencën e përfaqësuesve të sigurisë së Ambasadës Amerikane. E mitura u lokalizua në Tiranë, ku sipas informacioneve, ndodhej në një gjendje të rënduar emocionale dhe psikologjike. Nga verifikimet e kryera, ekzaminimet mjekësore dhe deklarimet e saj, hetuesit kanë ngritur dyshime se 13-vjeçarja ka qenë viktimë e abuzimit seksual nga disa persona të rritur, në qytete të ndryshme të Shqipërisë. Deri tani, për këtë ngjarje janë arrestuar të paktën katër persona, ndërsa hetimet vijojnë për identifikimin dhe kapjen e të tjerëve që dyshohet se kanë pasur përfshirje. Një prej pistave që po verifikohet nga grupi hetimor lidhet edhe me pretendimet se disa prej personave i kanë dhënë para të miturës në këmbim të marrëdhënieve seksuale. Sipas të dhënave paraprake, gjithçka ka nisur ditën kur vajza u dërgua nga nëna e saj në shkollën private ku ndiqte mësimet prej rreth katër vitesh, pas rikthimit të familjes nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ku kishin jetuar më parë. Por, në vend që të hynte në klasë, ajo është larguar nga ambientet e shkollës dhe ka marrë autobusin në drejtim të Tiranës. Gjatë kësaj periudhe, lëvizjet e saj janë shtrirë në disa qytete të vendit. Sipas hetimeve, fillimisht ka qëndruar në Fier, për të vijuar më pas në Gjirokastër, Vlorë, Durrës dhe Burrel, përpara se të rikthehej në kryeqytet.

Nga rindërtimi i itinerarit dyshohet se e mitura ka udhëtuar kryesisht e vetme, duke përdorur autobusë dhe taksi. Autoritetet po verifikojnë rrethanat në të cilat ajo ka takuar personat e dyshuar për abuzim, si dhe mënyrën se si janë zhvilluar ngjarjet në secilin prej qyteteve. Një tjetër element që po shqyrtohet nga hetuesit lidhet me shpenzimet gjatë kohës që qëndroi larg familjes. Sipas burimeve, dyshohet se vajza ka marrë disa bizhuteri ari nga banesa dhe i ka shitur për të siguruar para. Po ashtu, po hetohen edhe pretendimet se një pjesë e të ardhurave mund t’i jetë dhënë nga personat e dyshuar.

Aktualisht, 13-vjeçarja është vendosur në një qendër sociale në Tiranë, ku po merr ndihmën e nevojshme psikologjike dhe mjekësore. Për rastin po punojnë strukturat e policisë, Prokuroria dhe institucionet përgjegjëse, ndërsa është përfshirë edhe Ambasada Amerikane. Sipas informacioneve të bëra publike, vajza ka lindur në SHBA nga prindër shqiptarë, të cilët prej disa vitesh janë vendosur në Shkodër. Ajo jetonte me nënën, ndërsa babai rezulton të jetë dënuar më parë me burg. Burime pranë hetimit bëjnë me dije se edhe në të kaluarën e mitura ishte larguar përkohësisht nga shtëpia, por ishte kthyer pas disa orësh. Pavarësisht arrestimeve të deritanishme, hetimet nuk kanë përfunduar. Dyshohet se numri i personave të përfshirë mund të jetë shtatë ose më shumë, ndaj policia po punon për dokumentimin e plotë të çdo rasti dhe identifikimin e të gjithë personave të dyshuar. Autoritetet po vijojnë punën për zbardhjen e plotë të saj dhe për garantimin e mbrojtjes së të miturës.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

Enable Notifications OK No thanks