Një ambient nëntokësor, i fshehur pas një hyrjeje të kamufluar brenda një magazine, është zbuluar nga Policia e Shkodrës, ku kultivohej kanabis me anë të llambave dhe përpunohej lënda narkotike.
Operacioni policor i koduar “Labirinti” është finalizuar pas informacioneve të siguruara në rrugë policore, duke çuar në zbulimin e një aktiviteti të organizuar për kultivimin dhe përpunimin e lëndëve narkotike në zonën e njohur si “Kanali i Drinit”. Gjatë kontrolleve të ushtruara në dy objekte, shërbimet e Policisë zbuluan në njërën prej magazinave një hyrje të fshehtë, e cila të çonte në një ambient nëntokësor. Ky ambient ishte ndarë në dy pjesë të veçanta: njëra ishte përshtatur për kultivimin e bimëve narkotike të kanabisit në vazo, përmes përdorimit të llambave, ndërsa pjesa tjetër shërbente për përpunimin e lëndës narkotike. Në kuadër të operacionit janë arrestuar në flagrancë 10 persona, të identifikuar si Dorjana Kovaçi, 36 vjeçe; Migena Perçi, 38 vjeçe; Agim Kovaçi, 61 vjeç; Endrit Kovaçi, 41 vjeç; Ronaldo Dule, 28 vjeç; Arben Guri, 37 vjeç; Artur Lika, 46 vjeç; Fatmir Luka, 18 vjeç; Ervin Toli, 25 vjeç dhe Anton Toli, 30 vjeç. Sipas Policisë, të arrestuarit janë banorë të qyteteve të ndryshme, përkatësisht Gjirokastrës, Cërrikut, Tiranës, Poliçanit, Ishull-Lezhës dhe Mirditës. Gjithashtu, nga verifikimet rezultoi se njëri prej tyre, 46-vjeçari Artur Lika, ishte shpallur më parë në kërkim nga Drejtoria Vendore e Policisë Shkodër.
Gjatë kontrollit në ambientet e zbuluara, uniformat blu sekuestruan rreth 2 600 bimë të dyshuara narkotike kanabis, të kultivuara në vazo, si dhe 170 kilogramë lëndë bimore të përpunuar, e cila ishte ambalazhuar në 10 thasë plastikë. Ndërkohë, specialistët për Hetimin e Narkotikëve, në bashkëpunim me Prokurorinë, vijojnë hetimet për dokumentimin e plotë të veprimtarisë kriminale, si dhe për identifikimin dhe kapjen e personave të tjerë që mund të jenë të përfshirë në këtë aktivitet. Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë për veprime të mëtejshme.






