Deputeti i qarkut Shkodër, Kliti Hoti, ka ngritur shqetësimin për gjendjen e rënduar të banesës historike të Abat Preng Doçit dhe Tef Curanit, në Shkodër, ku u hodhën themelet e Shoqnisë Bashkimi, një prej nismave më të rëndësishme në historinë e gjuhës dhe kulturës shqiptare.
Në një reagim të publikuar në rrjetet sociale, në Ditën e Alfabetit Shqip, Hoti thekson se kjo ndërtesë me vlera të veçanta historike dhe kombëtare rrezikon të humbasë, ndërsa kërkon ndërhyrje urgjente nga institucionet përgjegjëse për shpëtimin e saj.
statusi plote:
Shkodra po humbet shtëpinë ku u shkrua historia e alfabetit shqiptar!
Në banesën e Abat Preng Doçit dhe Tef Curanit, në Shkodër, u hodhën themelet e Shoqnisë Bashkimi, një prej nismave më të rëndësishme në historinë e gjuhës dhe kulturës shqiptare.
Sot, në Ditën e Alfabetit Shqip, kjo ndërtesë historike vazhdon të jetë simbol i një trashëgimie që kërkon mbrojtje urgjente.
Si deputet i qarkut Shkodër, i jam drejtuar zyrtarisht Ministrisë së Kulturës për të kërkuar informacion mbi gjendjen e objektit dhe masat e parashikuara për restaurimin e tij.
Përgjigjja zyrtare konfirmon se, që në vitin 2024, institucionet kishin evidentuar rrezikun e shembjes së pjesshme apo të përgjithshme të ndërtesës. Megjithatë, në mars të këtij viti, projekti i restaurimit ishte ende në hartim dhe nuk paraqitej asnjë fond konkret apo afat për ndërhyrjen.
Një monument kulture i njohur nga shteti nuk mund të mbetet vetëm në dokumente dhe korrespondencë institucionale.
22 Nëntori nuk duhet të jetë vetëm një datë feste në kalendar. Respekti për alfabetin shqip dëshmohet edhe duke ruajtur vendet ku u punua për gjuhën tonë.
Kërkoj nga Ministria e Kulturës dhe institucionet përgjegjëse të bëjnë publike ecurinë e projektit, financimin dhe afatet konkrete për restaurimin e kësaj banese historike.
Historia e gjuhës shqipe meriton të ruhet, jo vetëm të përkujtohet!






