Detaje të reja janë zbardhur lidhur me sherrin e ndodhur në burgun e Reçit, ku dy të dënuar janë përfshirë në një përleshje fizike.
Newspower.al ka mësuar se bëhet fjalë për Altedi Jolldashin dhe Sebastian Ogiçin. Ky i fundit është i dënuar për vjedhje me armë dhe dhunë në bashkëpunim me persona të tjerë, ndërsa Jolldashi është dënuar për veprën penale të vrasjes së mbetur në tentativë.
Sipas të dhënave, Ogiçi dhe bashkëpunëtorët e tij, në vitin 2022 në Tiranë, janë kamufluar si efektivë të antidrogës dhe, nën kërcënimin e një pistolete, i kanë kërkuar një 32-vjeçari t’u dorëzonte çantën, duke iu prezantuar me fjalët: “Jemi antidroga, dorëzo çantën”.
Ndërkohë, Altedi Jolldashi është përfshirë në vitin 2024 në një shkëmbim me armë zjarri në Pogradec, ku mbeti i plagosur edhe vetë. Për këtë ngjarje ai është dënuar me 6 vite burg. Më herët, në vitin 2020, Jolldashi ishte arrestuar për transportim të lëndëve narkotike.
Pas përplasjes së ndodhur në burgun e Reçit, është ngritur një grup i posaçëm hetimor, i cili po punon për të zbardhur plotësisht rrethanat dhe shkaqet e konfliktit.






