I prezantuar me bujë nga kryebashkiaku Benet Beci si një investim i rëndësishëm për zhvillimin e turizmit, Info Point-i i ri turistik në Shkodër vijon të jetë larg përfundimit. Edhe pse afati i parashikuar për realizimin e punimeve ishte vetëm dy muaj, në fund të nëntorit projekti nuk ka marrë ende formën e një investimi të përfunduar dhe është larg tij. Se si maten muajt në bashkinë Shkodër, këtë mund ta thonë vetëm zyrtarët e saj, pasi sot kjo qëndër e re do të duhej të ishte në shërbim të turistëve. Në prill të këtij viti, kryetari i Bashkisë Shkodër, Benet Beci, e prezantonte projektin si një hap të ri për turizmin, duke premtuar një hapësirë moderne dhe bashkëkohore, ku vizitorët do të merrnin informacion për atraksionet, aktivitetet, kulturën dhe historinë e qytetit. Përmes një statusi në rrjetet sociale, Beci fliste për një Shkodër që po hynte në një fazë të re të mikpritjes dhe orientimit të turistëve, duke e cilësuar Info Point-in si pjesë të një serie investimesh që synonin ta poziciononin qytetin si një destinacion turistik të denjë për nivelin që meriton. Por nga premtimet në rrjetet sociale te realiteti në terren ka një distancë të konsiderueshme. Investimi, vlera e të cilit është rreth 70 milionë lekë të vjetra, me afro 87 mijë euro të raportuara në publikimet për këtë projekt, duhej të përfundonte brenda dy muajve. Megjithatë, teksa nëntori po mbyllet, Info Point-i vijon të mos jetë gati, ndërsa përfundimi i tij mbetet pa një datë të qartë. Madje, dokumentet zyrtare të vetë Bashkisë Shkodër ngrenë pikëpyetje edhe më serioze mbi ecurinë e këtij investimi. Në raportin e monitorimit të buxhetit për vitin 2025, Bashkia konfirmon se kontrata e sipërmarrjes së punëve publike është lidhur më 22 dhjetor 2025, ndërsa në shkurt të vitit 2026 deklaronte se priste lejen e ndërtimit për të vijuar me zbatimin e projektit. Ndërkohë, në qershor u publikuan pamje nga puna për lirimin e hapësirës ku do të ndërtohej objekti. Pra, një projekt i prezantuar si një investim i afërt për qytetin, por që ka kaluar muaj të tërë në pritje dhe vonesa. Problemi nuk është vetëm fakti që një investim publik nuk përfundon në afatin e parashikuar. Problemi është mungesa e transparencës për arsyet e vonesës, për ecurinë e kontratës dhe për përgjegjësitë konkrete të institucioneve që duhet të mbikëqyrin zbatimin e saj. Ndërsa kryebashkiaku Beci promovonte një Shkodër moderne përmes imazheve 3D dhe deklaratave optimiste, qytetarët sot kanë të drejtë të pyesin se kur do të mund ta shohin këtë investim të përfunduar dhe në shërbim të turistëve.






