Ballina Politike Të gjithë ‘sy e veshë’ nga Asambleja e PS të shtunën!/ Rama përballë...

Të gjithë ‘sy e veshë’ nga Asambleja e PS të shtunën!/ Rama përballë çështjeve të ‘nxehta’, Kandidatët në zgjedhje dhe ndryshime të mundshme në qeveri

Socialistët dhe jo vetëm janë të gjithë me sy e vesh nga asambleja që Edi Rama ka thirrur të shtunën e 14 nëntorit. Mbledhja e organit më të lartë drejtues të Partisë Socialiste në periudhën mes dy Kongreseve, vjen në një kohë jo të qetë në selinë rozë. Në takimin e parë përgatitor për sfidën e radhës elektorale, vendoret e 9 majit, Rama do të duhet të adresojë edhe shqetësimet brenda radhëve për sfidimin nga protestat që prej majit, përplasjet e brendshme, ku prin ‘lufta’ e hapur e kryebashkiakut të Tiranës, apo edhe marrëdhënien me drejtësinë dhe dosjet e ‘nxehta’ të SPAK. Kryesocialisti, i cili ka vendosur t’i mbledhë të tijtë larg kryeqytetit, në një resort turistik në Gjirin e Lalzit, pritet ta nisë mbledhjen me fjalën e tij paraditen e së shtunës, në orën 10:00.

 

Axhendë tjetër përveç fjalës së Ramës ende nuk është bërë publike. Përgatitja për zgjedhjet lokale dhe formula se si socialistët do t’i zgjedhin kandidatët për 46 kryetarë bashkie, pritet të jetë në qendër të vëmendjes. Emra të rëndësishëm tashmë janë hedhur në opinionin publik nga media si kandidatura të mundshme por ‘hermetizmi’ në kampin socialist vijon të jetë i fortë. Ndërkohë jo vetëm Tirana por edhe disa qytete të tjera të vendit, po bëhen edhe më interesant për garën elektorale. Shkodra është një prej tyre, ku Edi Rama duket se ka vendosur të sfidojë demokratët me një emër të ri. Ministry Enea Karakaçi po shihet si një mundësi që të kandidojë për Bashkinë Shkodër. Edhe për arsyen se vakante mund të mbeten disa ministri, nën ethe për mbledhjen e së shtunës është edhe kabineti qeveritar.

 

Disa mund të jenë “kurbani” i protestave dhe pakënaqësisë së akumuluar të qytetarëve. Kjo është asambleja e parë e thirrur nga Rama pas protestave të flamingove, dhe atyre të dhunshme të tetorit. Se si Edi Rama do të pozicionojë në fushën e betejës së radhës elektorale drejtuesit politik të qarqeve, pritet të jetë gjithashtu domethënëse për mënyrën se di do të zhvillohet fushata zgjedhore. Bashkëdrejtimi i qarqeve mund të jetë një metodë e zgjedhur nga Rama, duke vendosur 2 të deleguar nëpër qarqe, edhe pse në praktikë ka funksionuar edhe më herët, ndonëse jo e formalizuar plotësisht. Kjo është mbledhja e parë e Asamblesë prej 9 muajsh, pasi e fundit ishte 21 marsin e kaluar.

 

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

Enable Notifications OK No thanks