Prokuroria e Posaçme ka kërkuar dënimin me 2 vite burg për kryetarin e Bashkisë së Shkodrës, Benet Beci, i akuzuar për veprën penale të shkeljes së barazisë në tendera. SPAK i ka kërkuar gjykatës që dënimi të konvertohet në 4 vite shërbim prove.
Sipas hetimeve, Beci, në bashkëpunim me gjashtë vartës të tij, dyshohet se ka vepruar në kundërshtim me legjislacionin për prokurimet publike, duke paracaktuar dhe krijuar avantazhe e privilegje të padrejta për kompaninë fituese të tenderit, “Consulting & Management Albania” sh.p.k.
Çështja lidhet me një procedurë prokurimi me vlerë rreth 700 mijë euro, të zhvilluar nga Korporata Elektroenergjetike Shqiptare (KESH), në kohën kur Benet Beci ishte administrator i saj. Tenderi kishte si objekt “Zhvillimin Strategjik të Sektorit Energjetik”.
Nga hetimet dyshohet se parregullsitë kanë përfshirë hartimin e kritereve dhe dokumentacionit të tenderit, si dhe krijimin e kushteve favorizuese për kompaninë që fitoi procedurën. Hetimi ndaj Becit dhe gjashtë vartësve të tij nisi pas verifikimit dhe analizimit të provave materiale të sekuestruara gjatë kontrollit të ushtruar në banesën e Evis Berberit, i cili akuzohet gjithashtu për shkelje të barazisë në tendera dhe pastrim parash. Tashmë pritet vendimi i gjykatës për kërkesën e SPAK-ut. Benet Beci prezumohet i pafajshëm deri në një vendim gjyqësor të formës së prerë.






