Ballina Aktualitet Drejtori i Policisë së Shtetit, Skënder Hita, takon efektivët e Shkodrës të...

Drejtori i Policisë së Shtetit, Skënder Hita, takon efektivët e Shkodrës të dëmtuar në krye të detyrës: Sakrifica juaj meriton respektin e qytetarëve

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Skënder Hita, ka zhvilluar një vizitë në Malësinë e Madhe, ku ka takuar dhe falënderuar dy efektivët e Policisë, Hilmi Smajlaj dhe Samet Bajri, të cilët mbetën të plagosur me thikë gjatë një ndërhyrjeje në fshatin Pjetroshan.

Dy punonjësit e Patrullës së Përgjithshme të Komisariatit të Policisë Malësi e Madhe u dëmtuan gjatë përpjekjeve për të ndaluar një shtetas gjerman, i cili dyshohet se kishte sulmuar me benzinë automjetin e një qytetari.

Gjatë takimit, Hita vlerësoi guximin dhe profesionalizmin e dy efektivëve, duke theksuar se, pavarësisht plagosjes, ata nuk u tërhoqën nga ndërhyrja dhe arritën të neutralizonin personin, duke parandaluar pasoja më të rënda.

“Dua t’ju përgëzoj për guximin, profesionalizmin dhe vendosmërinë që treguat në përmbushjen e detyrës, në një situatë me rrezik të lartë për jetën tuaj dhe të qytetarëve”, u shpreh drejtori i Policisë së Shtetit, duke i garantuar se sakrifica e tyre ka vlerësimin dhe mirënjohjen e institucionit dhe të qytetarëve.

Në vijim të vizitës në Shkodër, Drejtori i Përgjithshëm vizitoi edhe në banesë nënkomisarin Fasli Rama, i cili u plagos gjatë protestës së zhvilluar në këtë qytet.

Hita i shprehu mirënjohjen për kontributin e dhënë gjatë më shumë se 30 viteve në radhët e Policisë së Shtetit, duke i uruar shërim të shpejtë dhe rikuperim të plotë.

Duke iu drejtuar nënkomisarit Rama, ai theksoi se prania e punonjësve të Policisë gjatë protestave ka për qëllim garantimin e së drejtës së qytetarëve për protestë paqësore, si dhe mbrojtjen e institucioneve dhe pronës publike e private nga aktet e dhunës.

Nga ana e tij, Fasli Rama falënderoi drejtorin Hita për mbështetjen dhe interesimin e vazhdueshëm, si dhe mjekët e Spitalit të Traumës për kujdesin e treguar, duke bërë me dije se gjendja e tij shëndetësore është përmirësuar dhe se ndodhet drejt rikuperimit të plotë.

Në përfundim, drejtori i Policisë së Shtetit vlerësoi përkushtimin dhe sakrificën e punonjësve të Policisë, duke theksuar rëndësinë e shërbimit në mbrojtje të qytetarëve dhe zbatimit të ligjit.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

Enable Notifications OK No thanks