Ballina Ekonomi Malaj: 24 miliardë lekë për pensionistët / Dyfishimi i bonusit nis që...

Malaj: 24 miliardë lekë për pensionistët / Dyfishimi i bonusit nis që me 1 janar 2027, indeksimi do të bëhet në prill

Ministri i Financave, Petrit Malaj, ka publikuar masën e re të bonusit për pensionistët e cila parashikohet të hyjë në fuqi me Buxhetin e vitit 2027. Me një fond shtesë prej rreth 24 miliardë lekësh, sipas Malajt, qeveria synon të rrisë mbështetjen financiare dhe të garantojë më shumë siguri ekonomike për moshën e tretë. Nga janari do të dyfishohet vlera e bonusit mujor të pensionistëve, me kosto prej 20 miliardë lekësh. Më saktësisht, pensionet urbane të plota me vlerë deri 40 mijë lekë do të marrin bonus në vlerën 3600 lekë në muaj, pra duke u dyfishuar nga 1800 që ishte vitin e shkuar. Pensionet urbane të pjesshme me vlerë deri 22 mijë lekë do të marrin 1600 lekë, pensionet rurale me vlerë deri 18 mijë lekë në muaj përfitojnë bonus 2000 lekë, gjithashtu dyfish do marrin edhe pensionet familjare pra një vlerë prej 1400, dhe ato të invaliditetit përfitojnë një bonus 1200 lekë/muaj. Kush kalon tavanet nuk përfiton, madje një qytetar për të mos kaluar masën e 40 mijë lekëve, nuk e përfiton bonusin e plotë prej 36 mijë lekëve por vetëm aq sa për të mos kaluar kufirin. Ndërkohë që për indeksimin e pensioneve është parashikuar një fond prej 4 miliardë lekësh. Ndryshe nga vitet e kaluara kur indeksimi niste në muajin korrik, për vitin e ardhshëm ky proces është avancuar dhe do të zbatohet që nga muaji prill.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

Enable Notifications OK No thanks