Ballina Aktualitet Suvaja i rrezikoi jetën, reagon këshilltarja bashkiake Uarda Albunesa: E kur dyert...

Suvaja i rrezikoi jetën, reagon këshilltarja bashkiake Uarda Albunesa: E kur dyert e Bashkisë mbyllen për këshilltarët …

Screenshot

Nga Uarda Albunesa

TË DASHTUN SHKODRANË, TË DASHTUN VIZITORË TË QYTETIT TONË,

Pardje, Shkodra më dha nji provë të re se sa e brishtë mundet me kenë siguria e qytetarit në qytetin e vet.

Nji copë e madhe suvaje u shkëput prej katit të pestë të nji pallati në bulevardin “Skënderbeu” dhe u përplas në tokë, vetëm nji metër larg kambëve të mia.

Për pak, mund të isha ba pjesë e nji lajmi. Për fat, kësaj here nuk pata nevojë për ambulancë, por vetëm me falënderue Zotin që shpëtova dhe me kuptue se në Shkodër, përveçse duhet me pa para se me kalue rrugën, duhet me pa edhe nalt, drejt fasadave të pallateve.

Pasi falënderova Zotin që shpëtova, vazhdova rrugën drejt shpisë teme, në rrugicën “At Shtjefën Gjeçovi”, vetëm 50 hapa larg vendit ku u shkëput suvaja.

Kur hyn në atë rrugicë, zor se e beson se je në zemër të qendrës së vjetër të Shkodrës. Makina të parkueme mbi trotuare, gropa në tanë gjatësinë e rrugës dhe nji realitet që nuk i ka hije nji qyteti me historinë e dinjitetin e Shkodrës.

Me siguri, do të ketë prej atyne që kanë me më pyetë:

“Pse nuk e ban ankesën pranë drejtorisë përkatëse në Bashki, por zgjedh me e ba publike?”

Sepse, kur suvaja bie mbi trotuar, halli nuk asht ma vetëm i imi. Asht halli i çdo qytetari që kalon aty. Asht halli i çdo prindi që shëtit me fëmijën, i çdo të moshuemi që ecën në rrugë dhe i çdo vizitori që vjen me shijue qytetin tonë.

E kur dyert e Bashkisë mbyllen për këshilltarët, mbetet nji rrugë tjetër: me e thanë me za të naltë atë që nuk mundet me u heshtë.

Prej tre vitesh kërkoj zbatimin e ligjit për administrimin e pallateve, ku Bashkia ka nji rol thelbësor për me garantue zbatimin e tij, ku perfshihet edhe mirembajtja e fasadave.

Prej tre vitesh kërkoj që rregullimi i rrugës “At Shtjefën Gjeçovi” të përfshihet në buxhet, Për shkak te gjendjes se mjeruar dhe kostove që i sjell përditë banorëve.

Nuk po flas për kërkesa të reja. Po flas për probleme të njohuna, për shqetësime të ngrituna prej kohësh dhe për detyrime që nuk mund të shtyhen pa fund.

Unë kam zgjedhë me besue te njerëzit, te përgjegjësia qytetare dhe te mundësia me ba diçka të mirë për Shkodrën.

Por, nëse dikush ka mendue se pjesmarrja politike përfshinte edhe nji kontratë heshtjeje, i ka ba llogaritë gabim.

Mbështetja nuk asht nënshtrim.
E kritika nuk asht tradhti.

Sidomos kur bahet fjalë për sigurinë e qytetarëve, nuk mundesh me heshtë vetëm për mos me shqetësue ata që janë mësue me ndigjue veç duartrokitje.

Sot shpëtova unë. Nesër mundet mos me shpëtue dikush tjetër, larg qoftë.

E atëherë, çdo fjalë e thanë, çdo paralajmërim i shpërfillun kanë me peshue shumë ma randë e do kërkojnë emnin e fajtorit!

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

Enable Notifications OK No thanks