Kryetari i Partisë Demokratike në Shkodër, Ardit Çylybyli, ka bërë thirrje për solidaritet me studentët protestues, pas ngjarjeve të djeshme dhe përplasjeve me policinë gjatë protestës para Ministrisë së Arsimit.
Përmes një reagimi publik, Çylybyli u ka bërë apel studentëve të Universitetit të Shkodrës, prindërve dhe qytetarëve që t’i bashkohen sot, në orën 14:00, tubimit në mbështetje të studentëve.
Ai ka dënuar atë që e cilëson si dhunë policore, duke theksuar se studentët nuk duhet të përballen të vetëm me atë që ai i konsideron padrejtësi.
“Kur preken studentët, preket e gjithë shoqëria! Kur ushtrohet dhunë ndaj qytetarëve, përgjegjësia jonë është të mos mbyllim sytë e të mos heshtim”, shprehet kryetari i PD-së Shkodër.
Çylybyli u ka bërë thirrje qytetarëve të jenë të pranishëm sot, në orën 14:00, para Ministrisë së Arsimit, për të kërkuar drejtësi dhe respektimin e të drejtave të qytetarëve.
“Ftojmë studentët e Universitetit të Shkodrës, prindërit dhe mbarë qytetarët të bashkohen sot në shenjë solidariteti dhe mbështetjeje për studentët tanë!”, përfundon reagimi i tij.






