Ballina Analiza dhe Komente Mirdita ndahet sërish, historiani Romeo Gurakuqi reagon ashpër pas ndarjes territoriale: Po...

Mirdita ndahet sërish, historiani Romeo Gurakuqi reagon ashpër pas ndarjes territoriale: Po përsëritet skenari i vitit 1949

Nga Romeo Gurakuqi:

Mirdita nën hijen e vendimeve të Kongresit të Parë

Mbramë, me lapsin magjik dhe me votë unanime regjimentesh solide,  u fshi Bashkia e Fushë Arrëzit, gjegjësisht Bajraku i Spaçit, me Fushë-Arrëzin, Qafë-Malin, Lumbardhën, Tuçin, Kryeziun, Arstin e Lajthizën, don me thanë, rreth 11% e Mirditës etnografike, tue e futë atë  me nji lehtësi të mahnitshme nën Bashkinë e Pukës.

Nën parimet e vazhdimësisë së Kongresit të Parë të PKSH/PPSH-së të vitit 1949, u vendos me u ruejtë sërish nën Mat pjesa jug- juglindore e Mirditës: Rranza/Bushkashi, praktikisht nji bajrak i plotë i Mirditës historike, së bashku me nji pjesë të Selitës, në total rreth 10% e Mirditës etnografike, do të mbeten edhe ma tutje nën Bashkinë e Matit, përkatësisht në Qarkun e Dibrës.

Po nën mësimet e Kongresit të Parë, mbeten përsëri në Lezhë: Bajraku i Velës, me Velën, Patalejn e Kaçinarin; Bajraku i Manatisë, me Manatin, Grykë-Manatin, Treshin e Spitenin; nga Bajraku i Bulgrit: Bërzana e Pruelli; nga Kryezezi, Lalm-Lukaj. Në total, rreth 9% e Mirditës etnografike.

Ndërsa afërsisht 7% tjetër e Mirditës etnografike do vazhdojë të qendrojë nën administrimin e Bashkisë së Vaut të Dejës, kryesisht në hapësinën Vig–Mnelë–Gomsiqe.

Me nji fjalë, gati 40% e territorit të Mirditës, e vetmja principatë autonome shqiptare e pacënueme dhe e njoftun edhe nga Perandoria Osmane, jo vetem do të vazhdojë me qendrue e shpërndame administrativisht, sipas logjikës së vjetër të vitit 1949, por tash, me votimin e natës luftarake 8-9 tetor 2026, e shkapërndame edhe ma shumë, me nji bashki ma pak. Pra jemi në rrethanat e thellimit ma tej të urdhnit që shoku Ennver dha në mbledhjen e Birosë 77 vite ma parë: duhet me i copëtue bashkësitë historike në mënyrë që ato të humbin peshën, përfaqësimin dhe mundësinë me e mbrojtë identitetin e vet.

Në prag të hymjes së Shqipnisë në Europë, në vend që të korrigjoheshin gabimet e Etënve të Mbrapshtimit të Shqipnisë, vazhdohet rruga e tyne, me të njajtën mendësi centralizuese, shtypëse,  fshirëse dhe me nji brutalitet administrativ që rrezikon me e çue deri në fund atë që nisi dikur: zbehjen e kujtesës, traditës dhe identitetit historik të krahinave.

Në vend që krejt Mirdita të rivendosej nën nji qark të vetëm, me disa bashki funksionale, dhe të investohej në ndërlidhjen e brendshme të nji krahine kaq të randësishme historikisht të Arbnisë,  ekonomikisht e kombëtarisht, vazhdohet mbrapshtia e Kongresit.

Nji ndarje e tillë, e bame pa respektue identitetin historik të bashkësisë dhe pa nji konsultim të mirëfilltë me të, bie ndesh tanësisht me frymën dhe standardet e së drejtës europiane për vetëqeverisjen vendore, përfaqësimin territorial dhe mbrojtjen e bashkësive historike.

Dhe rasti i Mirditës nuk asht e vetmja shkelje e randë e ligjeve të Europës së Bashkueme, ku don me hy Shqipnia, që u përmbyll mbramë

Pse ky ngut për keqbamje me pasoja afatgjata, në nji kohë kur duhet matuni dhe pvetje, ma shumë dashni dhe përulje ndaj popullit tand?!

Apo nuk asht populli jot ky?!

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

Enable Notifications OK No thanks