Ballina Aktualitet Financimi i Murriqan–Lezhë, nga BERZH? – Banka po shqyrton mundësitë, segmenti 40,3...

Financimi i Murriqan–Lezhë, nga BERZH? – Banka po shqyrton mundësitë, segmenti 40,3 km është pjesë e Korridorit Adriatiko – Jonian

Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim po shqyrton mundësinë e financimit të ndërtimit të autostradës Murriqan – Lezhë, një nga segmentet e Korridorit Adriatiko – Jonian në territorin shqiptar. Interesi i bankës bëhet i ditur në Planin e Angazhimit të Palëve të Interesuara, të përgatitur në kuadër të projektimit të detajuar, përditësimit të vlerësimit të ndikimit mjedisor e social dhe hartimit të dokumenteve të tenderit.

Sipas dokumentit, BERZH po vlerëson financimin për Ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjisë, që është institucioni përfitues i projektit, teksa identifikohet si institucioni financiar ndërkombëtar kryesor për këtë investim. Megjithatë, dokumenti nuk përcakton shumën e financimit dhe nuk konfirmon një vendim përfundimtar për miratimin e tij. Financimi që po shqyrtohet nga BERZH për segmentin Murriqan – Lezhë ndryshon nga skema që ka zgjedhur qeveria për financimin e segmenteve të tjera të Korridorit Adriatiko–Jonian, nga Balldreni deri në Fier, për të cilat është vepruar përmes kontratave të partneritetit publik – privat (PPP).

Autostrada e parashikuar ka një gjatësi prej rreth 40,3 km. Ajo nis në pikën kufitare të Murriqanit, në kufirin me Malin e Zi, dhe përfundon në zonën e Balldrenit, në veri të Lezhës. Gjurma kalon në territorin e bashkive Shkodër, Vau i Dejës dhe Lezhë.

Projekti parashikon një autostradë me katër korsi, nga dy për secilin drejtim, me shpejtësi projektimi prej 120 km/orë. Ajo do të ndërtohet në një gjurmë të re, ndërsa rruga ekzistuese kombëtare do të ruhet për t’i shërbyer trafikut lokal dhe si alternativë për lëvizjen e automjeteve.

Sipas objektivave të paraqitura në dokument, ky segment synon të përmirësojë lidhjen me Malin e Zi dhe lëvizjen përgjatë aksit veri – jug, të reduktojë kohën e udhëtimit dhe të lehtësojë ngarkesën e trafikut në zonat urbane. Po ashtu, përmirësimi i sigurisë rrugore dhe krijimi i kushteve për zhvillimin ekonomik lokal e rajonal renditen ndër përfitimet e pritshme./scan

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

Enable Notifications OK No thanks