Ka nisur prezantimi i paketës së re ligjore për ndryshimet në Kodin e Procedurës Penale. Kryeministri Edi Rama vuri theksin te përmirësimi i funksionimit të drejtësisë. Gjatë fjalës së tij, ai tha se reforma në drejtësi ka sjellë rezultate, por ka nxjerrë në pah edhe dobësi që kërkojnë ndërhyrje. Ai deklaroi se paketa e re prek edhe prezumimin e pafajësisë dhe lidhet me rekomandimet e mekanizmave europianë për parandalimin e torturës. Rama theksoi gjithashtu se Shqipëria vijon të ketë një barrë të lartë të përdorimit të paraburgimit.
“Ndryshuam Kushtetutën dhe çlirimin e drejtësisë nga pushteti politik. Reforma në drejtësi e shëmbi ngrehinën e pushtetit. Sot pas 10 vjetësh kemi parë, dëgjuar dhe mësuar shumë. Kemi parë forcën e reformës, por dhe dobësitë që dolën nga përballja me realitetin. Barra e kthesës së madhe të reformës në drejtësi, ia ka vlejtur.
10 vjet shembën kultin 100-vjeçar të pandëshkueshmërisë. 10 vjet më parë ne i dorëzuam drejtësisë shpatën. Sot duhet të bëjmë një veprim më modest. Gjyqësori të mos bëjë pushtetin përpara drejtësisë. Kjo është ndërhyrja e parë që ndryshon prezumimin e pafajësisë. Nisja e diskutimeve konkrete për këtë paketë u ngrit nga mekanizmat europianë, për parandalimin e torturës. Edhe sot po të pyesësh, secili vend përmban barrë më të madhe të paraburgimeve, përgjigjja vjen më e hidhur, ‘Albania’”, tha Rama.
Kryeministri Edi Rama ka radhitur të gjitha ndryshimet e propozuara për Kodin Penal.
“Për veprat me dënim maksimal për 5 vite nuk do të caktohet më arrest me burg. Rreziku duhet të jetë konkret, aktual dhe i mbështetur në fakte. Gjykata të bëjë vlerësim të pavarur dhe nëse kopjon argumentet e prokurorit, vendimi bëhet i pavlefshëm. Sa herë caktohet arresti, gjykata duhet të vlerësojë edhe garancinë pasurore të llogaritur dhe sipas gjendjes financiare të personit. Çdo muaj prokurori duhet t’i raportojë gjykatës nëse arsyet e masës ekzistojnë akoma dhe t’i argumentojë.
Avokati nuk mund të jetë dekor në sallë dhe spektator gjatë hetimit. Duhet të ketë të drejtë të bëjë hetimet e veta, të bëjë deklarime, të marrë dokumente dhe të angazhojë ekspertë. Materialet do t’i paraqiten gjyqtarit dhe do të vlerësohen njësoj si të prokurorisë. Personi do të ketë akses të pakushtëzuar mbi provat që kanë hequr lirinë dhe do të ketë akses të plotë në dosje. Prokurori do të ketë detyrim të hetojë edhe rrethanat që e favorizojnë një person.
Nuk mund të thirret dikush si një person në dijeni dhe të trajtohet si i dyshuar. Kushdo që thirret duhet të ketë të shkruar në fletën e thirrjes të drejtën për t’u paraqitur me avokat. Marrjet në pyetje do të regjistrohen me zë dhe figurë. Hiqet justifikimi “kur është e mundur”. Shkruhet se deklarimet e marra nën torturë apo me sjellje degraduese janë të papërdorshme.
Telefoni nuk është më një mjet komunikimi, është arkivi i jetës. Sekuestrimi i pajisjes nuk mund të jetë më leje e pakufishme për të parë gjithçka. Për ta hapur, kopjuar ose përpunuar, duhet autorizim i gjykatës. Vendimi i gjykatës do të përcaktojë pajisjen, kategorinë e të dhënave, periudhën, aplikacionet dhe kategorinë. Çdo e dhënë e marrë jashtë autorizimit është e papërdorshme. E njëjta edhe për përgjimet.
Procedimi duhet të regjistrohet që prokurori merr dijeni për veprën. Personi ka të drejtë të dijë se ndaj tij është regjistruar procedim dhe t’i kërkojë gjykatës verifikim. Hetimet e fshehura, të mbajtura në sirtar ndër vite, nuk mund të jenë një rutinë në një shtet të së drejtës.
Prezumimi i pafajësisë duhet të jetë standard sjelljeje për të gjithë institucionet. Gjykimi në publik përpara gjyqit në sallë nuk është drejtësi. Kush ka detyrim të ruajë sekretin dhe e shkel, duhet të mbajë përgjegjësi. Përgjegjësia nuk bie mbi median, por mbi atë që ka detyrim ligjor. Edhe gjuha e akteve zyrtare duhet të respektojë pafajësinë”, tha Rama.






