Ballina Sport Përplasje e fortë te Vllaznia, Xhaferi do “kokën” e Martinit! Trajneri refuzon...

Përplasje e fortë te Vllaznia, Xhaferi do “kokën” e Martinit! Trajneri refuzon dorëheqjen, ja çfarë pritet

Situata te Vllaznia vijon të jetë e tensionuar. Presidenti Alban Xhaferi dhe trajneri Edi Martini prej të paktën një jave janë në një përplasje të hapur për të ardhmen e pankinës kuqeblu, ndërsa ende nuk është gjetur një zgjidhje mes palëve.

Pas humbjes ndaj Laçit javën e kaluar, kreu i klubit shkodran i ka kërkuar trajnerit Martini të japë dorëheqjen, duke e lidhur kërkesën me rezultatet e dobëta të skuadrës në javët e para të kampionatit. Martini, nga ana e tij, ka refuzuar të largohet me dorëheqje. Trajneri shkodran ka argumentuar se përgjegjësia për rezultatet nuk mund t’i faturohet vetëm atij dhe se nuk sheh arsye për të dhënë dorëheqjen në këtë moment.

Përplasja mes drejtuesit dhe trajnerit ka vijuar edhe në ditët në vazhdim. Xhaferi i ka bërë të ditur Martinit se situata është e papranueshme për klubin, sidomos për faktin që Vllaznia ndodhet në fundin e renditjes, duke i komunikuar se nëse nuk largohet vetë, atëherë mund të shkarkohet.

Edhe përballë kësaj mundësie, Martini ka vijuar të qëndrojë në pozicionin e tij. Sipas burimeve, trajneri ka bërë të qartë se një shkarkim do të kishte edhe kosto financiare për klubin, pasi kontrata e tij është e vlefshme për dy sezone dhe parashikon një pagë mujore prej rreth 8 mijë eurosh. Në këtë rast, detyrimi financiar për ndërprerjen e parakohshme të kontratës mund të shkojë në rreth 100 mijë euro. Në bisedat me drejtuesit e klubit, Martini ka përmendur gjithashtu faktin se para rinovimit të kontratës me Vllazninë kishte marrë një ofertë nga Prishtina në Kosovë, por kishte zgjedhur të qëndronte në Shkodër për të vijuar projektin me kuqeblutë.

Humbja 0-2 në shtëpi ndaj Teutës e ka përkeqësuar edhe më shumë situatën. Jo vetëm rezultatet, por edhe marrëdhënia mes presidentit Xhaferi dhe trajnerit Martini duket se ka arritur në pikën e saj më kritike. Trajneri shkodran nuk ishte në pankinë në këtë takim, pasi vijon të jetë i dënuar nga Komisioni i Disiplinës së FSHF-së dhe e ndoqi ndeshjen nga tribuna e tifozëve. Megjithatë, kjo përballje mund të rezultojë të jetë e fundit për të në drejtimin e Vllaznisë. Sipas burimeve pranë klubit, nëse Martini nuk pranon të japë dorëheqjen, drejtuesit pritet të procedojnë me shkarkimin e tij. Ndërkohë, brenda klubit kanë nisur diskutimet për pasuesin e mundshëm në pankinë, edhe pse deri tani nuk ka një emër konkret. Kriza aktuale vjen në një moment të vështirë për Vllazninë. Sezonin e kaluar, skuadra shkodrane ishte shumë pranë titullit kampion, por në fazën Final Four pësoi tri humbje dhe humbi mundësinë për të kurorëzuar sezonin me trofeun.

Pas përfundimit të sezonit, disa prej futbollistëve kryesorë u larguan, duke bërë që Vllaznia të ketë një organikë ndryshe këtë sezon. Rezultatet e javëve të para kanë qenë larg pritshmërive. Në pesë javë kampionat, kuqeblutë kanë grumbulluar vetëm dy pikë, pas dy barazimeve dhe tri humbjeve. Një start i tillë ka rritur presionin mbi stafin teknik dhe drejtuesit e klubit. Tashmë mbetet për t’u parë nëse Edi Martini do të largohet me marrëveshje dhe dorëheqje, apo nëse Vllaznia do të vendosë për shkarkimin e tij. Në të dyja rastet, klubi shkodran pritet të hyjë në një tjetër kapitull, me kërkimin e trajnerit të ri që

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

Enable Notifications OK No thanks