Komisioneri për Mbrojtjen nga Diskriminimi nis më 23 shtator nismën “Udhëtimi në Shqipëri”, një cikël takimesh që do ta çojë institucionin drejtpërdrejt pranë qytetarëve në 10 bashki të vendit.
Ndalesa e parë do të jetë Malësia e Madhe, ku në fokus do të jetë barazia në aksesin në shërbimet publike. Më 24 shtator, turi vijon në Fushë-Arrëz, me vëmendje te diskriminimi në komunitetet rurale dhe vështirësitë në arsim, punësim dhe shërbime.
Komisionerja Genta Tafa (Bungo) dhe ekipi i saj do të zhvillojnë takime me qytetarë, institucione vendore, shkolla, organizata të shoqërisë civile dhe grupe në situata vulnerabiliteti.
Qëllimi është informimi i qytetarëve për të drejtat e tyre dhe mënyrën e paraqitjes së ankesave, por edhe evidentimi i problemeve konkrete që hasen në nivel vendor.
Pas Malësisë së Madhe dhe Fushë-Arrëzit, nisma do të ndalet në Kukës, Bulqizë, Klos, Librazhd, Mallakastër, Kolonjë dhe Përmet, për t’u mbyllur më 2 dhjetor në Rrëshen.
Në qendër të diskutimeve do të jenë barazia në punësim, të drejtat e grave dhe vajzave, aksesueshmëria për personat me aftësi të kufizuara, arsimi gjithëpërfshirës dhe mekanizmat ligjorë kundër diskriminimit.
Sipas KMD-së, nisma synon ta afrojë më shumë institucionin me komunitetet dhe ta bëjë mbrojtjen nga diskriminimi më të prekshme në jetën e përditshme.






