Kryeministri Edi Rama ka uruar Albin Kurtin për marrjen e një mandati të ri në krye të Qeverisë së Kosovës, duke shprehur gatishmërinë e Shqipërisë për të vijuar dhe thelluar bashkëpunimin mes dy vendeve.
Rama theksoi nevojën për përshpejtimin e rrugëtimit të përbashkët drejt Bashkimit Evropian dhe zbatimin e marrëveshjeve të arritura mes Shqipërisë dhe Kosovës.
“Mandati juaj i ri qeverisës më ofron rastin e duhur t’ju përcjell urimet e mia më të përzemërta për sukses. Gjithashtu, e shfrytëzoj këtë mundësi për të riafirmuar gatishmërinë time dhe të Qeverisë që unë drejtoj, për një bashkëpunim të gjithanshëm, në të gjitha nivelet dhe në të gjitha fushat, për të përshpejtuar hapat në rrugëtimin tonë sfidues drejt Shtëpisë së Përbashkët Evropiane. Zbatimi sa më i plotë i marrëveshjeve të miratuara dhe shqyrtimi e angazhimi në projekte të reja, nga sektorët më të rëndësishëm e prioritarë, janë në dobi dhe do të përmirësojnë e pasurojnë më tej jetën e qytetarëve tanë”, shkruan Rama.
Kuvendi miratoi më 13 Shtator kabinetin e drejtuar nga Albin Kurti me 62 vota pro dhe 8 kundër, duke i dhënë liderit të Vetëvendosjes një mandat të ri në krye të ekzekutivit.






