Mëngjesin e së martes Benet Beci e nisi me lajmin se ka zgjedhur dy nënkryetarët e rinj të bashkisë, pas dorëheqjes së Rudin Bekës. Oferta e re ishte dy në një, pasi largimi i Bekës është pasuar me dy emra: I pari kryetari i Partisë Socialiste i kërkuar nga vetë subjekti politik, Marjan Ndershtiqaj dhe i dyti, njeriu që u konvertua nga demokrat në socialist pas fitores së Becit, Bekim Mema. Katapultimi i tij në administratën Beci ka qënë surprizues, aq sa ka xhelozuar edhe vetë socialistët që punuan për Becin dhe që pas fitores ju mbylli dyert me shpejtësi. Vetë Beci sot në rrjetin social shkruante:
Dita nis në zyrë, për të diskutuar çështjet e ditës dhe prioritetet që kemi në vijim për qytetin dhe njësitë administrative.
Skuadrës sonë i janë bashkuar Bekim Mema dhe Marjan Ndershtiqaj, në detyrën e zëvendëskryetarëve të Bashkisë Shkodër. Ju uroj mirëseardhjen, suksese dhe punë të mbarë në përgjegjësitë e reja!
Sot kam edhe një falënderim të veçantë për Rudin Bekën, për kontributin e dhënë gjatë këtyre tri viteve në drejtimin e Bashkisë. Rudini vazhdon të jetë pjesë e skuadrës sonë, edhe pse tashmë në distancë. I uroj suksese në sfidat e reja! Ai mbetet një mik i imi dhe një shkodran që e do fort qytetin e tij.






