Ballina Politike Rama nga Italia: Integrimi gradual, e vetmja mënyrë për të hyrë në...

Rama nga Italia: Integrimi gradual, e vetmja mënyrë për të hyrë në BE! S’na duhet vetoja për t’u ulur në tryezë

Kryeministri Edi Rama insiston për një model të ri të zgjerimit të Bashkimit Europian, përmes integrimit gradual të vendeve kandidate, pa pritur anëtarësimin e plotë. Nga Forumi i Cernobbios në Itali, Rama tha se Shqipëria dhe vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor mund të bëhen pjesë e tregut të përbashkët, universiteteve dhe programeve europiane, edhe pa marrë menjëherë të drejtën e vetos.

“Integrimi gradual është mënyra e vetme për të na futur brenda dhe për ta nisur nga pjesa reale: tregu i përbashkët, të qenit pjesë e Europës së universiteteve, shkëmbimeve, të të gjithë elementëve shumë të rëndësishëm, para se të mendojmë për pjesën tjetër”, tha Rama.

Rama tha se nuk beson se vendet e BE-së do të jenë të gatshme që Shqipërinë ta pranojnë si anëtare me të gjitha kompetencat, përfshirë veton.

“Nuk besoj se 2027-a do të na presë lumturisht me kompetencën tonë të vetos. Nuk besoj se disa kryeqytete do të kenë aftësinë t’i thonë publikut: ‘Do ta marrim Shqipërinë me kompetencën e vetos’. Nuk na duhet kompetenca e vetos për t’u ulur rreth tryezës. Imagjinoni të kesh edhe 7 të marrë të tjerë të ulur rreth asaj tryeze. Do të ishte më mirë për Europën dhe për ne”, vijoi Rama.

Me batuta iu referua Edi Rama mënyrës se si, sipas tij, duhet të funksionojë integrimi gradual në Bashkimin Europian. Duke i quajtur vendet kandidate “7 fëmijët e Ursulës”, kryeministri tha se ato duhet të ulen në tryezën e BE-së ndërsa përmbushin kriteret, duke fituar të drejtat e anëtarësimit për çdo kapitull që mbyllin.

“7 fëmijët e Ursulës duhet të përmbushin çdo kriter, duhet të ndjekin rregullat për çdo kapitull dhe duhet t’i bëjnë ballë të gjithë procesit neurotik të makinerisë prej 35 mijë grash e burrash, që është makineria më burokratike që ka krijuar njerëzimi.

Ajo që duhet të ndryshojë është radha e veprimit: jo më parë 33 kapituj dhe më pas vendimi politik. Të 7 fëmijët, përfshirë Ukrainën, duhet të jenë në tryezë si fëmijët e Ursulës. Si fëmijë duhet të dëgjojnë babanë dhe nënën, Francën dhe Gjermaninë, pastaj tezen Itali dhe të tjerët. Por duhet të jenë rreth asaj tryeze, ndërkohë që përmbushin kriteret.

Çdo kapitull që përmbyllin i bën anëtarë brenda suazës së atij kapitulli. Nëse mbyll kapitullin për shkencën, për atë bëhesh anëtar dhe ke të njëjtat të drejta. Çdokush që duhet të marrë më shumë nga tryeza, i jep më shumë tryezës, por duhet të jenë të pranishëm”, tha Rama.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

Enable Notifications OK No thanks