Kreu i Partisë Demokratike në Shkodër, Ardit Çylybyli, ka reaguar ndaj qeverisë dhe mazhorancës, duke kritikuar atë që e cilëson si rikthim të vëmendjes ndaj qytetarëve pas 13 vitesh në pushtet.
Përmes një reagimi publik, Çylybyli ngre pyetjen se ku kanë qenë përfaqësuesit e qeverisë gjatë viteve kur qytetarët kanë kërkuar zgjidhje për problematikat e tyre.
Statusi plote:
Fillon një kapitull i ri me qytetarët…
Po ku ishit këto 13 vite?!
Ku ishit kur qytetarët kërkonin zgjidhje për hallet e tyre? Ku ishit kur njerëzit prisnin punë, drejtësi, shërbime dhe përgjigje? Pse kujtoheni për qytetarët vetëm tani, kur qeveria Rama është në vështirësi dhe ju duhet të riktheheni të trokisni në dyert e tyre?
Qytetarët nuk janë dekor për fushata dhe as numra që kujtohen sa herë afrohen zgjedhjet apo kur pushteti ndihet i rrezikuar.
13 vite në pushtet nuk janë “kapitull i ri”. Janë një histori e gjatë që qytetarët e kanë përjetuar dhe e dinë shumë mirë.
Tani na thoni se do të jeni “më afër njerëzve”?!
Duhet të ishit pranë tyre gjatë gjithë këtyre viteve, jo vetëm kur ju leverdis politikisht.
Këtë herë qytetarët duhet t’ju japin përgjigjen e merituar jo me fjalë, por duke ju mbyllur dyert.
Sepse Shqipëria ka nevojë për një kapitull të ri, por ai kapitull nuk mund të shkruhet nga ata që kanë pasur 13 vite për ta shkruar dhe kanë dështuar.
Koha për ndryshim ka ardhur. Dhe ndryshimi fillon kur qytetari nuk harron✌️.






