Shkodër/Vijojnë kontrollet për kapjen e shtetasve të shpallur në kërkim
Kapen dhe vihen në pranga 2 shtetas të shpallur në kërkim, për veprimtari kriminale në fushën e kultivimit të bimëve narkotike në ambiente të mbyllura.
Si rezultat i kontrolleve të vazhdueshme për lokalizimin dhe kapjen e shtetasve të shpallur në kërkim, si dhe bazuar në informacionet e siguruara në rrugë operative, specialistët për Hetimin e Narkotikëve të Drejtorisë Vendore të Policisë Shkodër, lokalizuan, kapën dhe ndaluan shtetasit:
* Arjon Beqiri 28 vjeç, banues në Shkodër;
* Samuel Bercaj 25 vjeç, banues në fshatin Zagorë.
Këta shtetas ishin shpallur në kërkim, pasi Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Shkodër kishte nxjerrë urdhër për ndalimin e tyre, si të dyshuar për kryerjen e veprave penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, “Kultivimi i bimëve narkotike” dhe “Vjedhja e energjisë elektrike ose impulseve telefonike”.
Këta 2 shtetas dyshohet se, në bashkëpunim me shtetas të tjerë, në muajin janar 2026, në kuadër të operacionit policor të koduar “Neonët 5”, kishin përshtatur 2 ambiente (banesa), në fshatin Barbullush, për kultivimin e bimëve narkotike, me anë të llambave.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Shkodër, për veprime të mëtejshme.






