469 maturantë në qarkun e Shkodrës do t’u nënshtrohen provimeve të Maturës Shtetërore 2026 në sesionin e vjeshtës. Bëhet fjalë për maturantët që nuk kanë arritur të përfundojnë me sukses të gjitha provimet gjatë sesionit të qershorit, apo të viteve të shkuara. Provimet kanë nisur këtë të hënë të 24 gushtit me testimin e Gjuhës së Huaj, ku i janë nënshtruar 109 maturantë, nga të cilët 78 nga Shkodra, 23 nga Malësia e Madhe, 4 nga Vau i Dejës dhe 4 nga Puka. Për provimin e Gjuhës Shqipe dhe Letërsisë, më 27 gusht, do të testohen 115 maturantë: 80 nga Shkodra, 24 nga Malësia e Madhe, 9 nga Vau i Dejës dhe 2 nga Puka. Numri më i lartë i maturantëve është regjistruar për provimin e Matematikës, që do të zhvillohet më 31 gusht. Në këtë provim janë 134 maturantë, përkatësisht 75 nga Shkodra, 26 nga Malësia e Madhe, 30 nga Vau i Dejës dhe 3 nga Puka. Ndërsa më 3 shtator, në provimin me Zgjedhje, do të marrin pjesë 111 maturantë: 77 nga Shkodra, 23 nga Malësia e Madhe, 6 nga Vau i Dejës dhe 5 nga Puka. Në listat e maturantëve figuron edhe një nxënës me aftësi të kufizuara, nga Vau i Dejës. Për zhvillimin e provimeve të sesionit të vjeshtës është përcaktuar një qendër provimi, e cila do të jetë gjimnazi “28 Nëntori” në Shkodër. Për mbarëvajtjen dhe administrimin e provimeve do të jenë të angazhuar gjithsej 14 persona, konkretisht 9 administratorë provimi, 3 administratorë të sekretimit, 1 përgjegjës i qendrës dhe 1 përgjegjës i administrimit të provimit. Sesioni i vjeshtës u jep mundësinë maturantëve që nuk kanë mundur të përfundojnë provimet në qershor të plotësojnë detyrimet e Maturës Shtetërore dhe të vijojnë procedurat për përfundimin e arsimit të mesëm dhe, për ata që plotësojnë kriteret, aplikimin për studimet e larta.
Ballina Aktualitet Matura Shtetërore 2026, sesioni vjeshtës / 134 maturantë zhvillojnë provimet e vjeshtës...






