Ballina Politike Kliti Hoti: Dializa nuk është thjesht kosto, Shqipërisë i duhet një plan...

Kliti Hoti: Dializa nuk është thjesht kosto, Shqipërisë i duhet një plan për parandalimin e sëmundjeve të veshkave

Deputeti Kliti Hoti ka reaguar për debatin mbi kostot e trajtimit të dializës, duke argumentuar se vëmendja nuk duhet të përqendrohet vetëm te çmimi i një seance, por edhe te parandalimi i sëmundjeve kronike të veshkave. Në reagimin e tij, Hoti thekson se pas çdo seance dialize qëndron një pacient, një familje dhe një jetë e ndryshuar nga sëmundja. Sipas tij, debati nuk duhet të reduktohet te shifrat 115 apo 125 euro për seancë.

Statusi i plote:

DIALIZA NUK ËSHTË 115 APO 125 EURO, eshte jeta e nje njeriu, eshte jeta e nje familjeje.

Ky është thelbi i gjithë debatit.

Nuk mund ta shohim pacientin vetëm si një numër në një tabelë dhe dializën vetëm si një kosto që duhet ulur.

Kur flasim për 115 apo 125 euro për një seancë, duhet të kujtojmë se pas kësaj shifre është një njeri, një familje dhe një jetë e ndryshuar nga sëmundja.

Por pikërisht këtu fillon pyetja e madhe:

KU ËSHTË PARANDALIMI?

Shifrat zyrtare tregojnë një realitet që nuk mund ta injorojmë.

Në vitin 2017 ishin rreth 700 pacientë në dializë.

Në fund të vitit 2025, numri arriti në 1,556 pacientë.

Pra, në më pak se një dekadë, numri i pacientëve pothuajse u dyfishua.

Në vitin 2025 u kryen 212,151 seanca hemodialize.

Për vitin 2026, janë parashikuar rreth 2.6 miliardë lekë për trajtimin e pacientëve me dializë.

Pyetja legjitime:

A po investojmë mjaftueshëm për të parandaluar që këta njerëz të arrijnë deri në dializë?

Sepse Sëmundja Kronike e Veshkave nuk shfaqet brenda natës.

Ajo shpesh zhvillohet për vite.

Diabeti, hipertensioni dhe faktorë të tjerë të riskut mund të identifikohen dhe të ndiqen shumë më herët.

Një analizë e funksionit të veshkave dhe një matje e albuminurisë mund të ndihmojnë në zbulimin e hershëm të dëmtimit të veshkave.

Pra, pyetja nuk është vetëm:

Sa kushton një seancë dialize?

Pyetja është:

Pse nuk e kapim sëmundjen përpara se pacienti të ketë nevojë për dializë?

DHE KA EDHE NJË PYETJE TJETËR: KU PO SHKOJNË PARATË E QYTETARËVE?

Në vitin 2025, sipas të dhënave të FSDKSH-së, vetëm një pjesë shumë e vogël e seancave u kryen në institucionet publike, ndërsa pjesa dërrmuese u ofrua në struktura jopublike dhe përmes PPP-së.

Pas kaq vitesh, duhet të dimë:

A janë gati spitalet tona publike?

A kanë kapacitetet e nevojshme Shkodra dhe Korça?

Nëse nuk i kanë, pse nuk është bërë investimi i nevojshëm?

Nëse i kanë, pse nuk kemi një plan për ta forcuar gradualisht kapacitetin publik?

Këto nuk janë pyetje kundër pacientit.

Përkundrazi.

Janë pyetje për pacientin dhe për paratë e qytetarëve.

DHE PO, DUHET TË FLASIM EDHE PËR KOSTON.

Nëse një seancë do të mund të ofrohej me 90 euro në vend të 125 eurove, diferenca do të ishte 35 euro për seancë.

Me 212,151 seanca në vit, kjo do të përkthehej teorikisht në rreth 7.4 milionë euro në vit.

Natyrisht, kjo duhet të verifikohet përmes një analize reale të kostos dhe cilësisë së shërbimit.

Por pyetja është legjitime:

Nëse mund të kursejmë miliona euro, ku duhet të shkojnë këto para?

Unë them:

NË PARANDALIM.

Sepse nuk mund të vazhdojmë të financojmë gjithnjë e më shumë trajtimin e pasojës dhe të harrojmë shkakun.

Shqipërisë i duhet një PLAN KOMBËTAR PËR SËMUNDJET KRONIKE TË VESHKAVE:

• Identifikimi i popullatës në risk.

• Kontrolli i funksionit të veshkave.

• Matja e albuminurisë/proteinurisë.

• Diagnostikimi dhe ndjekja e hershme.

• Ndjekja sistematike e pacientëve me diabet dhe hipertension.

• Një Regjistër Kombëtar për Sëmundjet Kronike të Veshkave.

• Dhe mbi të gjitha, një politikë reale parandalimi.

Sepse një qeveri nuk duhet të gjykohet vetëm nga sa mirë trajton pacientët kur ata janë sëmurë.

Duhet të gjykohet edhe nga sa njerëz arrin të mos i çojë deri aty.

Si nefrolog, por edhe si përfaqësues i qytetarëve në Kuvend, nuk mund të pranoj që debati për dializën të reduktohet në 115 apo 125 euro.

Sepse pas çdo numri ka një njeri.

Pas çdo pacienti ka një familje.

Pas çdo seance ka një histori jete.

Dhe pas çdo milionëshi të shpenzuar janë paratë e qytetarëve.

Shëndetësia nuk mund të drejtohet vetëm me kalkulator.

Pacienti nuk është kosto, pacienti është njeri, kjo është shëndetësi, kjo është përgjegjësi.

Dhe kjo është politika që duhet të bëjmë.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

Enable Notifications OK No thanks