Partia Socialiste hyn në ditët e fundit të gushtit me një axhendë të ngjeshur politike. Kryeministri Edi Rama pritet të zhvillojë një sërë takimesh me drejtuesit socialistë dhe kabinetin qeveritar, ku në fokus do të jenë dokumentet e brendshme të partisë, bilanci i punës së ministrive gjatë tetë muajve të parë të vitit dhe përgatitjet për zgjedhjet lokale të vitit 2027.
Sipas burimeve, të dielën, në orën 11:30, në vilën qeveritare në Pogradec pritet të mblidhen 12 drejtuesit politikë të qarqeve, së bashku me kryetarët socialistë të komisioneve parlamentare.
Takimi pritet të përqendrohet te dokumenti “Besa” dhe dokumenti tjetër, i njohur si “Prania e Besës”, të dorëzuar në fund të korrikut pranë grupit parlamentar socialist. Rama pritet të marrë prej drejtuesve socialistë vlerësime, sugjerime dhe propozime për këto dokumente, me synim përpunimin e tyre dhe hartimin e një dokumenti përfundimtar.
Në fokus do të jetë gjithashtu organizimi politik i PS-së dhe puna për përgatitjen e strukturave për zgjedhjet lokale të vitit 2027.
Ministrat raportojnë për janar-gushtin, Rama përgatitet për “provimin e performancës”
Axhenda e kryeministrit në Pogradec nuk përfundon me takimin e së dielës. Në mbrëmje, Rama pritet të zhvillojë një darkë pune me drejtuesit politikë të qarqeve, kryetarët e komisioneve parlamentare dhe ministrat.
Të hënën, ministrat do të përballen me atë që në PS konsiderohet një lloj “provimi i performancës”.
Në vilën qeveritare do të zhvillohet një mbledhje informale e qeverisë, e njohur si “retreat”, gjatë së cilës secili ministër do të raportojë mbi punën e dikasterit që drejton për periudhën janar-gusht 2026.
Ndryshe nga mbledhjet e mëparshme të këtij formati, këtë herë nuk pritet të marrin pjesë zëvendësministrat. Në takim do të jenë ministrat dhe drejtuesit e agjencive në varësi të tyre.
Raportimi nuk do të kufizohet vetëm te puna e institucioneve. Në vlerësim pritet të jetë edhe mënyra se si ministrat kanë komunikuar publikisht, përfshirë paraqitjen e tyre në media dhe aktivitetin në rrjetet sociale gjatë muajve të fundit.
Por axhenda politike e Ramës nuk mbyllet me takimet në Pogradec. Sipas burimeve të Top Channel, në javën e parë të shtatorit pritet të mblidhet Asambleja Kombëtare e Partisë Socialiste.
Mbledhjet e mëparshme të Asamblesë janë shoqëruar edhe me ndryshime në kabinetin qeveritar. Për këtë arsye, mbledhja e radhës pritet të ketë një rëndësi të veçantë, nëse kryeministri vendos të ndërhyjë në drejtimin e disa ministrive.
Në PS pritet të shihet nëse kjo axhendë do të pasohet edhe nga ndryshime në kabinet, përfshirë mundësinë e lëvizjeve në të paktën gjashtë ministri.
Takimet në Pogradec dhe mbledhja e pritshme e Asamblesë Kombëtare në shtator shënojnë nisjen e një periudhe intensive politike për Partinë Socialiste, në një kohë kur vëmendja e strukturave të saj po zhvendoset gjithnjë e më shumë drejt organizimit të brendshëm dhe përgatitjeve për zgjedhjet lokale të vitit 2027.






